Një raport mbi objektivat e mundshme në rajonin e Gjirit ka ngritur alarmin në Formula 1. Garat në Katar dhe Abu Dhabi janë vënë në pikëpyetje, pasi rreziku për sigurinë e ekipeve po rritet.
Sipas portalit “GPblog”, një dokument përmban një listë të objektivave të mundshme strategjike në rajonin e Gjirit, në kohën kur tensionet ushtarake mes Iranit, SHBA-së dhe Izraelit janë përshkallëzuar.
Në listë përfshihen edhe hotelet ku pritet të qëndrojnë anëtarët e ekipeve të Formula 1. Megjithatë, deri tani nuk ka konfirmim të pavarur për ndonjë plan konkret sulmi.
Katari dhe Abu Dhabi në pikëpyetje
Sipas kalendarit, Çmimi i Madh i Katarit është planifikuar nga 27 deri më 29 nëntor në pistën Lusail, ndërsa gara finale në Abu Dhabi do të zhvillohet nga 4 deri më 6 dhjetor, në pistën Yas Marina.
Situata ka ngritur shqetësime për sigurinë e pilotëve, mekanikëve dhe mijëra anëtarëve të stafit, veçanërisht për shkak të qëndrimit në hotelet e qyteteve dhe transportit të përditshëm drejt pistave.

Verstappen kishte paralajmëruar që më herët
Piloti i Red Bullit, Max Verstappen, kishte shprehur shqetësimet e tij për tensionet në Lindjen e Mesme që në fund të shtatorit.
“Kur e dini se lufta është kaq afër dhe se disa shtete mund të jenë në konflikt, mendoj se nuk duhet të shkojmë atje. Pavarësisht kontratave, ky është mendimi im personal, edhe pse vendimi përfundimtar nuk varet nga unë”, kishte deklaruar holandezi.
Një situatë e ngjashme ishte krijuar edhe në vitin 2022 në Arabinë Saudite, kur një sulm me raketa goditi një objekt nafte pranë pistës së Xhedës dhe pilotët diskutuan mundësinë e bojkotimit të garës.
Vendimi për zhvillimin e dy garave të fundit të sezonit pritet të bëhet i ditur në ditët në vijim, në varësi të zhvillimeve të sigurisë në Lindjen e Mesme.



