Në një ngjarje të pazakontë në SHBA, Inteligjenca Artificiale ka luajtur rol kyç në gjetjen e një Lamborghini Huracan EVO, i cili ishte zhdukur para dy vitesh si pjesë e një skeme të madhe të vjedhjes së makinave luksoze.
Andrew Garcia, nga Orange County, ishte një ndër viktimat e një rrjeti që përfshinte qiradhënie të rreme të dhjetëra automjeteve luksoze, të cilat nuk u kthyen kurrë. Ndërsa shumë pronarë arritën të rikuperonin mjetet e tyre, supermakina e Garcia-s mbeti e humbur, duke e lënë atë pa shpresë për rikthimin, transmeton AutoPortali.
Situata ndryshoi papritur kur ai mori një mesazh të paqartë në Instagram, që përmbante një foto të makinës dhe pyetjen: “E shite këtë makinë?”.
I vendosur për të zbuluar të vërtetën, Garcia përdori ChatGPT dhe mjetet vizuale të Google për të analizuar imazhin dhe për të identifikuar vendndodhjen e mundshme. Këto analiza e çuan atë në Denver, Colorado. Pas kontaktimit të autoriteteve lokale, u konfirmua se Lamborghini i fotografuar ishte në të vërtetë vetura e vjedhur e Garcia-s.
Colorado Auto Theft Prevention Authority vlerësoi përpjekjen si një shembull të fuqishëm të përdorimit të inteligjencës artificiale nga qytetarët për të ndihmuar hetimet policore.
Ndërkohë, hetimet për rrjetin kriminal të përfshirë në skemën e vjedhjeve të makinave luksoze në Kaliforni janë ende në vazhdim. Disa persona tashmë janë dënuar, ndërsa të tjerë janë në pritje të gjykimit.
Ky rast nënvizon potencialin e teknologjisë moderne dhe AI-së për të ndihmuar në zgjidhjen e rasteve komplekse kriminale, duke fuqizuar qytetarët dhe përmirësuar bashkëpunimin me organet e rendit.



