Chichester, qyteti i vetëm në West Sussex dhe me histori të pasur romake, sot cilësohet si një nga vendet më të mira për të jetuar në Mbretërinë e Bashkuar. Vetëm 90 minuta larg Londrës me tren, kjo qendër historike është vlerësuar vitin e kaluar nga “The Times” dhe së fundmi nga “The Guardian” si një ndër qytetet më të lumtura për banorët.
Simboli më i njohur i Chichester është Katedralja 900-vjeçare, e vetmja katedrale mesjetare në Angli që mund të shihet nga deti.
The Sun shkruan, se turistët mund të vizitojnë edhe Fishbourne Roman Palace, një nga rezidencat më të mëdha romake në Britani, si dhe muzeun në natyrë Weald and Downland Living Museum, që ofron një udhëtim në kohë. 
Chichester është gjithashtu destinacion për mijëra adhurues të makinave, falë Goodwood Festival of Speed, që mbahet çdo vit në korrik.
Edicioni i këtij viti do të festojë 75-vjetorin e Kampionatit Botëror të Formula 1 dhe 125 vjet histori motorsporti.
Për adhuruesit e plazhit, West Wittering Beach, një ndër plazhet më të mira në Britani, ndodhet fare pranë. Po ashtu edhe Bognor Regis, për ata që preferojnë një atmosferë më të gjallë.
Chichester ka lidhje të shpejta hekurudhore me Londrën, aeroportin e Gatwick, Brighton, Portsmouth dhe Southampton.
Për akomodim, qyteti ofron alternativa nga hotelet buxhetore si Premier Inn dhe Travelodge, deri te Harbour Hotel, një ndërtesë historike e klasifikuar si Grade II.
Në afërsi ndodhet edhe fshati piktoresk Bosham, i krahasuar shpesh me Venecian për bukurinë e tij natyrore. Bosham përmendet edhe në tapiceri historike Bayeux, pasi ka qenë vendbanimi i mbretit Harold.

Për një eksperiencë unike, në Chichester gjendet edhe Concierge Camping, një kamping me pesë yje që shpesh krahasohet me një hotel luksoz.
Chichester vazhdon të mbetet jo vetëm një perlë historike, por edhe një destinacion i preferuar për jetesë dhe turizëm. /AutoPortali



