Çmimet e makinave të përdorura në rritje për pesë muaj rresht
Ç

Çmimet e makinave të përdorura në rritje për pesë muaj rresht

Çmimet e makinave të përdorura në SHBA kanë shënuar rritje për pesë muaj me radhë, sipas raportit më të fundit të iSeeCars.com.

Tregu i përgjithshëm i makinave të përdorura po rritet që pas një periudhe dyvjeçare e gjysmë të uljeve, ndërsa vlerat e makinave elektrike veçanërisht të Tesla-s po stabilizohen.

Sipas Autoweek, analiza e rreth 1.5 milion automjeteve të moshës 1 deri në 5 vjet, të shitur privat, tregon se çmimi mesatar i një makine të përdorur ka arritur në 31,770 dollarë, një rritje prej 3.7% (rreth 1,146 dollarë) krahasuar me korrikun e 2024. Kjo përbën muajin e pestë me radhë të rritjes së çmimeve, pas uljeve të regjistruara deri në gusht 2024.

Sipas Karl Brauer, analist ekzekutiv në iSeeCars, “Kërkesa e konsumatorëve për makinat e përdorura mbetet e fortë, duke tejkaluar ofertën dhe duke rritur çmimet.”

Ai shton se çmimet e larta të makinave të reja dhe shqetësimet për tarifat kanë orientuar më shumë blerës drejt tregut të makinave të përdorura.

Makina elektrike, situatë e ndryshme

Çmimet e makinave elektrike të përdorura ende bien, por ritmi i uljes po ngadalësohet. Pas rënies prej 8.8% në maj dhe 4.8% në qershor, çmimet e EV-ve ranë vetëm 1.3% në korrik – niveli më i ulët i rënies vjetore në më shumë se dy vjet.

Brenda segmentit të EV-ve, modelet e Tesla-s shënuan rënien më të madhe, 5.3% në korrik, ndërsa Chevrolet dhe Chrysler regjistruan rënie rreth gjysmën e kësaj shifre. Nga ana tjetër, Infiniti shënoi rritje prej 11.7% gjatë të njëjtës periudhë.

Fitues dhe humbës

Modelet e BMW 4 Series, për shembull, shënuan rritjen më të madhe, me 30% krahasuar me një vit më parë. Brauer shpjegon: “Ndërsa çmimet e EV-ve të përdorura stabilizohen, makinat tradicionale të përdorura po rikthejnë vlerën e tyre.” Ai thekson gjithashtu se çmimet e larta të makinave të reja dhe shqetësimet për tarifat “po nxisin rritjen e kërkesës afatshkurtër për automjetet e reja dhe të përdorura.” /AutoPortali

TË FUNDIT