Dodge Durango Hellcat 2026 bashkohet me programin “Jailbreak”
D

Dodge Durango Hellcat 2026 bashkohet me programin “Jailbreak”

Dodge zyrtarizon rikthimin e versionit Hellcat për modelin Durango në vitin 2026, por këtë herë me një shtesë të fuqishme: programin “Jailbreak”, që i lejon klientët ta personalizojnë SUV-in e tyre në më shumë se 6 milionë kombinime të ndryshme.

Kjo iniciativë, që më herët ishte e rezervuar për Challenger dhe Charger, tani zgjerohet edhe tek Durango SRT Hellcat, i cili deri vonë ishte planifikuar të ishte model njëvjeçar.

Opsionet e personalizimit

Për vitin 2026, blerësit e Durango SRT Hellcat mund të zgjedhin mes gjashtë ngjyrave të jashtme, gjashtë ngjyrave të emblemave, si dhe pesë dizajne të vijave të dyfishta në karroceri. Mund të shtohet edhe një kapak motori me shkëlqim, sipas dëshirës.

Brendësia ofron pesë ngjyra të sediljeve, në tri konfigurime të ndryshme. Për më tepër, ofrohen katër ngjyra rripash sigurie për të plotësuar personalizimin, shkruan Autoweek, transmeton AutoPortali.

Zgjedhjet vazhdojnë me gjashtë dizajne të rrotave dhe katër ngjyra të frenave Brembo. Gjithashtu, të gjitha konfigurimet mund të përfshijnë një tavan panoramik elektrik, sistem audio premium dhe paketë për tërheqje rimorkioje.

Motori mbetet po ai, një bishë 710 kuaj fuqi

Pavarësisht personalizimeve, zemra e këtij modeli mbetet e pandryshuar: një V8 6.2 litërsh me supercharger, që prodhon 710 kuaj fuqi dhe 645 lb-ft çift rrotullues, i kombinuar me një transmision automatik me tetë marshe dhe sistem tërheqjeje në të katër rrotat.

Çmimi dhe porositë

Dodge ka njoftuar se porositë për Durango SRT Hellcat 2026 hapen më 13 gusht 2025. Çmimi ende nuk është bërë publik, por pritet të mos devijojë shumë nga çmimi bazë aktual prej 86,990 dollarësh. /AutoPortali

TË FUNDIT