Pas zhgënjimit që solli versioni elektrik i Dodge Charger Daytona për adhuruesit e motorëve V-8, prodhuesi amerikan është gati të rikthejë zhurmën karakteristike të muskujve amerikanë me një version të ri me djegie të brendshme: Charger Sixpack, i cili pritet të debutojë më herët seç ishte parashikuar në tremujorin e tretë të këtij viti.
Pavarësisht përpjekjeve për të rikrijuar ndjesinë e një motori V-8 me sistemin “Fratzonic” që prodhon tinguj sintetikë përmes altoparlantëve, versioni elektrik nuk i bindi entuziastët, shkruan Car and Driver, transmeton AutoPortali.
Vetëm 4299 njësi të Charger EV u shitën në gjysmën e parë të vitit 2025, një rënie e madhe krahasuar me 46,710 njësi të modeleve me benzinë të shitura në të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Charger Sixpack do të pajiset me motorin Hurricane, një motor gjashtë cilindrash me dy turbo, që aktualisht gjendet edhe në Jeep Wagoneer dhe Ram 1500. Ky motor ofron 420 kuaj fuqi në versionin standard dhe 550 kuaj fuqi në versionin H.O. (high output), i kombinuar me transmision automatik me tetë shpejtësi dhe sistem tërheqjeje me të katër rrotat (AWD).
Për të gjithë ata që ndjenë mungesën e benzinës dhe adrenalinës së vërtetë, Dodge po rikthehet fuqishëm.



