Donjeta Sadiku kthehet nga Bullgaria me medalje të artë
D

Donjeta Sadiku kthehet nga Bullgaria me medalje të artë

Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka shkëlqyer sërish në arenën ndërkombëtare, duke u kurorëzuar me medaljen e artë në turneun prestigjioz Strandja Tournament, i cili po zhvillohet në Sofje të Bullgaria.

Në finalen e kategorisë deri në 60 kilogramë, Sadiku u përball me brazilianen Rebeca de Santos, të cilën e mposhti me rezultat të ngushtë 3:2, pas një dueli tejet të fortë dhe mjaft të luftuar deri në sekondat e fundit.

Përballja ishte e balancuar dhe me ritëm të lartë, por në fund gjyqtarët i dhanë fitoren boksieres nga Kosova, e cila dëshmoi edhe një herë qetësinë dhe përvojën e saj në momente vendimtare.

Sadiku e kishte siguruar finalen pasi në gjysmëfinale kishte triumfuar ndaj egjiptianes Ayyad Yomna, të cilën e mposhti pas tre raundesh bindëse në të njëjtën kategori.

Paraqitja e saj në këtë fazë u vlerësua si dominuese, duke mos lënë shumë hapësirë për befasi nga kundërshtarja.

Rrugëtimi drejt medaljes së artë kishte nisur me dy fitore të rëndësishme në fazat paraprake të turneut.

Fillimisht, ajo kaloi me sukses çekën Barbora Maxova, ndërsa më pas triumfoi edhe ndaj ukrainases Veronika Korets, duke siguruar kështu një vend mes katër më të mirave të kategorisë deri në 60 kilogramë.

Ky sukses konfirmon vazhdimësinë dhe formën e lartë të boksieres kosovare në arenën ndërkombëtare.

Nuk është hera e parë që Sadiku ngjitet në shkallën më të lartë të podiumit në këtë kompeticion, pasi edhe vitin e kaluar kishte fituar medaljen e artë në turneun “Strandja”, i cili konsiderohet si turneu më i vjetër i boksit amator në Evropë.

Me këtë triumf të radhës, ajo rikonfirmon dominimin e saj në kategorinë deri në 60 kilogramë dhe mbetet një nga emrat më të suksesshëm të boksit kosovar në skenën ndërkombëtare. /AutoPortali

TË FUNDIT