Stadiumi “Fadil Vokrri” do të presë sonte në orën 18:45 duelin mes Dritës dhe AZ Alkmaar, takim i rëndësishëm në fazën e grupeve të Conference League.
Kampionët e Kosovës kanë bërë paraqitje mbresëlënëse deri tani, duke grumbulluar 8 pikë nga katër ndeshje.
Forma e mirë ka rritur ambiciet e gjilanasve, të cilët synojnë të mbeten të pamposhtur dhe të afrohen edhe më shumë me kualifikimin.
Trajneri Zekirja Ramadani theksoi në konferencë se ekipi është i motivuar dhe kërkon disiplinë të lartë taktike.
“Duhet të japim maksimumin. Me fitore gjithçka ndryshon, por mbi të gjitha kërkohet luftë dhe përkushtim në fushë,” tha Ramadani, duke nënvizuar se mund të ketë edhe shpërblime të veçanta për skuadrën në rast rezultati pozitiv.
Edhe sulmuesi Arb Manaj u shpreh i gatshëm për sfidën, ndërsa ekipi përballet me mungesën e kapitenit Rron Broja, i lënduar.
AZ Alkmaar vjen në Prishtinë me ecuri të njëjtë në grup dhe synon tri pikët për të forcuar pozitat.



