Një ide e thjeshtë, por me potencial për të shpëtuar jetë. Një studim i fundit nga Austria propozon vendosjen e dritave të frenimit edhe në pjesën e përparme të makinave, si një mënyrë për të reduktuar aksidentet rrugore. Sipas kërkuesve, kjo teknologji mund të shmangë deri në 17% të përplasjeve dhe të zvogëlojë ndjeshëm ashpërsinë e lëndimeve në rastet e tjera, transmeton AutoPortali.
Një ide e thjeshtë, me ndikim të madh
Në një kohë kur teknologjitë e reja të sigurisë rrugore po bëhen gjithnjë e më komplekse, shpesh zgjidhjet më efektive janë edhe më të thjeshtat. Një shembull klasik janë rripat e sigurimit. Tani, një ide e re që po shqyrtohet është vendosja e dritave të frenimit në pjesën e përparme të makinave (Front Brake Lights – FBLs).
Një studim i fundit nga Universiteti Teknik i Graz-it në Austri shkruan Autoblog, tregon se përdorimi i FBL-ve mund të ndihmojë në shmangien e deri 17% të aksidenteve dhe të zvogëlojë ashpërsinë e lëndimeve në deri 25% të rasteve.
Çelësi i sigurisë: Parashikimi i veprimeve të drejtuesve të tjerë
Si me dritat standarde të frenimit dhe sinjalizuesit e kthimit, edhe në këtë rast thelbi është parashikimi i lëvizjeve të automjeteve të tjera. Njohja në kohë e qëllimit të drejtuesve përreth është thelbësore për të marrë masat e duhura.
Në situata si kryqëzimet pa semaforë, ku shpesh është e vështirë të kuptohet nëse një makinë që vjen përballë është duke ngadalësuar apo vazhdon me të njëjtën shpejtësi, FBL-të mund të japin një sinjal të qartë vizual për drejtuesit dhe këmbësorët.
Studiuesit sugjerojnë që ngjyra e këtyre dritave të frenimit të jetë e gjelbër, duke krijuar një lidhje të natyrshme me kuptimin e sinjalit për “siguri për të lëvizur”, si te semaforët.
Edhe një reduktim i vogël i kohës së reagimit ka rëndësi
Gjatë studimit, ekspertët analizuan 200 aksidente reale me makina, duke shqyrtuar në detaje kohën e reagimit të drejtuesve dhe momentin e frenimit. Më pas, ata rikrijuan të njëjtat aksidente, por këtë herë me praninë e FBL-ve, duke matur ndryshimet në kohën e reagimit në intervale prej 0.5, 1.0 dhe 1.5 sekonda.
Rezultatet treguan se me përdorimin e dritave të frenimit në pjesën e përparme:
- 7.5% deri në 17% e aksidenteve mund të ishin shmangur plotësisht
- 25.5% e aksidenteve mund të kishin pasoja më të lehta
Madje, edhe përmirësimi me vetëm gjysmë sekonde në kohën e reagimit mund të ketë ndikim të madh në zvogëlimin e dëmeve dhe lëndimeve.
Dritat anësore, një tjetër mundësi për rritjen e sigurisë
Studiuesit theksojnë se në disa situata, veçanërisht në kryqëzime me shikueshmëri të kufizuar, dritat anësore të frenimit mund të jenë po aq të rëndësishme sa ato të përparme. Lajmi i mirë është se të dy sistemet mund të instalohen lehtë dhe me kosto të ulët në makinat e reja ose të përshtaten në ato ekzistuese.
Rruga drejt implementimit: Ligjërimi mbetet sfidë
Megjithëse rezultatet janë premtuese, studimi kërkon më shumë prova shkencore për të mbështetur përfundimet, përpara se teknologjia të kthehet në standard. Për më tepër, për çdo ndryshim të tillë do të nevojitet miratimi nga Administrata Kombëtare e Sigurisë së Trafikut në Autostrada (NHTSA) në SHBA, një institucion që njihet për proceset e ngadalta në adoptimin e teknologjive të reja të sigurisë. /AutoPortali



