Ducati ka konfirmuar zyrtarisht zgjatjen e kontratës së Marc Marquez për sezonet 2027 dhe 2028 të MotoGP.
Marrëveshja e re dyvjeçare do ta mbajë kampionin aktual te Ducati deri në fund të vitit 2028. Njoftimi vjen pasi u finalizua Marrëveshja Concorde, e cila kishte vonuar lëvizjet në tregun e pilotëve për vitin 2027.
Ducati pritet gjithashtu të konfirmojë së shpejti ardhjen e Pedro Acosta në ekipin zyrtar, duke krijuar një dyshe spanjolle shumë të fortë nga sezoni i ardhshëm.
Zgjatja e kontratës vjen në një periudhë të shkëlqyer për Marquez, i cili ka fituar dy gara radhazi në Çeki dhe Hungari.
Ai gjithashtu ka bërë të ditur se rikuperimi i shpatullës së tij të djathtë po ecën mirë.
Sipas Motorsport.com, marrëveshja mes Marquez dhe Ducati ishte arritur prej muajsh, por njoftimi u shty për shkak të negociatave mes organizatorëve të MotoGP dhe prodhuesve.
Pas largimit të hershëm nga Honda Racing Corporation, Marquez iu bashkua ekipit Gresini Racing MotoGP, para se të kalonte te skuadra zyrtare e Ducati-t. Në sezonin e tij të parë me Ducati, ai fitoi titullin e nëntë botëror dhe të shtatin në MotoGP.

Në deklaratën e tij, Marquez tha: “Jam shumë i lumtur që vazhdoj me Ducati Lenovo Team. Kur vendosa t’i bashkohesha Ducati-t, isha i bindur se ishte projekti më konkurrues. Ne ndërtuam një marrëdhënie të bazuar në besim dhe punë të palodhur. Dua të vazhdoj të garoj sepse e dua këtë sport dhe dua të arrij objektiva edhe më ambiciozë”.
Drejtori i përgjithshëm i Ducati-t, Gigi Dall’Igna, lavdëroi Marquez duke thënë se bashkëpunimi me të ka qenë mbresëlënës dhe se ai ka ndihmuar në nxjerrjen e maksimumit nga motori Desmosedici GP.



