Pas një sezoni dominues në 2025, Ducati ka nisur bisedimet për të rinovuar kontratën e Marc Marquez për vitet 2027–2028. Por, ndryshe nga marrëveshja e parë, ky rinovim pritet të jetë shumë më i ndërlikuar.
Marquez pranoi kushte modeste financiare kur nënshkroi fillimisht me Ducati-n, duke marrë rreth 3 milionë euro pagë bazë dhe bonuse të mëdha performance. Dominimi i tij, 11 fitore dhe titulli botëror e ka rikthyer vlerën e tij në nivele të larta, duke i dhënë një pozicion të fortë në negociata.
Ducati e ka prioritet absolut ta mbajë spanjollin, por është i kufizuar financiarisht: situata ekonomike globale, tarifat e reja amerikane dhe rënia e shitjeve të Audi-t kanë sjellë masa shtrënguese buxheti. Kjo e bën rinovimin më të vështirë dhe më të shtrenjtë se më parë.

Rinovimi i Marquez pritet të ndikojë drejtpërdrejt edhe te zgjedhja e shokut të tij të skuadrës. Francesco Bagnaia, në sezonin e tij më të dobët, duhet të përmirësojë rezultatet dhe të ulë kërkesat financiare për të pasur shans të qëndrojë. Në të kundërt, radha e pilotëve të gatshëm për të zëvendësuar atë është shumë e gjatë.
Megjithatë, të dyja palët, Ducati dhe Marquez e duan vazhdimin e bashkëpunimit, dhe një marrëveshje është e mundshme, edhe pse shumë më komplekse se më parë.



