Potenciali turistik i Durrësit po prezantohet në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin 2026, ku Shqipëria pozicionohet si destinacion autentik mesdhetar.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video prezantuese të qytetit bregdetar, ku Durrësi prezantohet jo vetëm si qytet bregdetar, por edhe si qyteti i historisë dhe i mikpritjes, raporton ATSH, përcjell AutoPortali.
“Durrësi vjen përpara botës si një destinacion që bashkon detin, kulturën dhe zhvillimin”, u shpreh Rama.
Durrësi vijon të mbetet një nga destinacionet e preferuara për turistët vendas e të huaj, pasi ka një ofertë të pasur turistike përtej bregdetit.
Sitet kulturore dhe historike janë pjesë e panoramës ikonike të qytetit, si Torra Veneciane, Mozaiku i Bukuroshes së Durrësit, Amfiteatri romak apo Muzeu Arkeologjik.
Shqipëria prezantohet në ITB Berlin 2026 me një agjendë të pasur që ndërthur inovacionin, kulturën, bukuritë natyrore dhe përvojat lokale.
Me një territor të vogël, por shumë të larmishëm, Shqipëria ka avantazh natyror për t’u pozicionuar si destinacion i turizmit të qëndrueshëm me Alpet Shqiptare për turizëm malor dhe aventurë, rivierën për turizëm bregdetar, qytetet historike për turizëm kulturor dhe fshatrat për turizëm rural dhe gastronomik.
Për Shqipërinë, ITB Berlin 2026 nuk është thjesht një panair promovimi, por një pasqyrë ku shihet e ardhmja e turizmit.



