Dy arsye pse hibridet paraqesin rrezik më të madh zjarri
D

Dy arsye pse hibridet paraqesin rrezik më të madh zjarri

Zjarret në automjetet hibride po shihen gjithnjë e më shumë si një sfidë e veçantë sigurie. Ekspertët paralajmërojnë se kombinimi i motorit me karburant dhe baterisë litium-jon mund të krijojë situata shumë më të rrezikshme se zjarret tradicionale të makinave, sidomos tek hibridet plug-in që karikohen rregullisht.

Rreziqe përtej madhësisë së baterisë

Eksperti i menaxhimit të rrezikut në transport, William S. Lerner, tha për “Autoblog” se, edhe pse bateritë e hibridëve janë më të vogla dhe kanë rrezik më të ulët zjarri për shkak të nivelit të ngarkesës, hibridet plug-in (PHEV) përbëjnë një rrezik shtesë, transmeton AutoPortali.

Sipas tij, sapo një automjet bëhet plug-in, rryma elektrike nga karikuesi shkon drejtpërdrejt në automjet, duke krijuar një probabilitet 20-30% që të ndodhë një problem gjatë karikimit qoftë në karikues, qoftë në vetë automjetin.

Shumë shoferë nuk respektojnë rregullin e ngarkimit deri në 80%, çka shpejton degradimin e baterive. Ashtu si te telefonat, pas 600–2000 ciklesh ngarkimi, bateria humbet kapacitet dhe drejtuesit tentojnë ta mbajnë gjithmonë në 100%, duke rritur mundësinë për probleme termike.

Me fjalë të tjera, PHEV-të kanë më shumë rrezik zjarri se hibridet e lehta, pasi karikohen më shpesh, kalojnë më shumë rrymë elektrike në bateri dhe shpesh ngarkohen tej rekomandimeve të prodhuesit.

Kur një zjarr bëhet i dyfishtë

Lerner përmendi edhe rreziqet e mundshme te hibridet e lehta, duke marrë si shembull BMW X5 2025. Për shkak të kufizimeve të hapësirës, BMW e ka vendosur baterinë 48 volt paralel me motorin, ndërsa rezervuari i karburantit është prej plastike HDPE që shkrihet në 176°C.

“Nëse bateria 48 volt merr flakë, qelizat mund të shpërthejnë deri në 20 metra. Kjo do të shkrijë rezervuarin e karburantit dhe do të keni një zjarr benzine të kombinuar me zjarr baterie,” shpjegoi ai. Sipas tij, kjo e dyfishon problemin për ekipet e shpëtimit, të cilat mund të mendojnë fillimisht se po përballen vetëm me një zjarr benzine.

Megjithatë, Lerner shtoi se disa prodhues, si Audi, kanë konfigurime më të sigurta për hibridet e lehta. Ai theksoi se pika kryesore është që ekipet e emergjencës duhet të jenë të vetëdijshme se në praninë e një baterie litium-jon funksionale mund të përballen me disa lloje zjarresh njëkohësisht. /AutoPortali

TË FUNDIT