Njësitet policore nga Stacioni Policor në Prizren kanë gjobitur me nga 1000 euro secilin dy persona të përfshirë në gara të shpejtësisë, pas identifikimit të tyre nga një video e publikuar në një medium lokal.
Ngjarja ka ndodhur më 24 korrik rreth orës 02:50 në një rrugë të qytetit të Prizrenit. Fillimisht, secilit prej tyre i ishte shqiptuar një gjobë prej 500 eurosh dhe masa ndaluese për drejtimin e automjetit për 12 muaj, shkruan AutoPortali.
Megjithatë, pas pranimit të kundërvajtjes dhe në përputhje me ligjin në fuqi, masa ndaluese u konvertua në një gjobë shtesë prej 500 eurosh, duke e çuar totalin në 1000 euro për secilin.
Policia e Kosovës rikujton qytetarët për respektimin e rregullave të komunikacionit dhe thekson se gara me shpejtësi të lartë paraqet një rrezik të madh për jetën dhe sigurinë publike.




