Ylli i Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, është shumë pranë një kapitulli të ri në karrierën e tij, pasi ka arritur marrëveshje personale me gjigantin italian, Juventus.
Sipas raportimeve të fundit nga eksperti i njohur i merkatos, Nicolo Schira, Zhegrova ka dhënë dakordësinë për një kontratë pesëvjeçare, e cila do ta mbajë atë në Torino deri në vitin 2030.
Paga e tij pritet të jetë rreth 2.5 milionë euro në vit, pa përfshirë bonuset që mund të rrisin edhe më shumë përfitimet financiare të sulmuesit.
Pas arritjes së marrëveshjes me lojtarin, Juventusi është në fazën përfundimtare të negociatave me klubin francez Lille, për të mbyllur transferimin.
Sipas Schiras, Zhegrova tashmë e ka informuar klubin e tij aktual se nuk ka ndërmend të rinovojë kontratën, e cila skadon në qershor të vitit 2026.
Kjo u ka dhënë më shumë presion drejtuesve të Lille që të shqyrtojnë seriozisht ofertën e Juventusit.
Oferta e bardhezinjve për Lillen pritet të jetë në rangun e 18 deri në 20 milionë eurove, shumë që konsiderohet e arsyeshme për një lojtar me potencial dhe paraqitje të mira në Ligue 1.
Zhegrova, i cili u transferua te Lille në janar të vitit 2022 nga skuadra zvicerane Basel, ka treguar paraqitje të qëndrueshme dhe shpesh vendimtare.
Në 80 ndeshje me klubin francez në kampionat, ai ka shënuar 15 gola dhe ka asistuar 13 herë, duke dëshmuar vlerën e tij si lojtar ofensiv modern.
Ky transferim do të shënojë një hap të madh për Zhegrovën, i cili synon të tregojë vlerat e tij në një nga ligat më konkurruese në botë – Serie A, dhe të përfaqësojë denjësisht Kosovën në skenën ndërkombëtare të futbollit. /AutoPortali


 
                                    

