Espargaro lëndohet rëndë gjatë testimeve
E

Espargaro lëndohet rëndë gjatë testimeve

Testuesi i Hondës, Alex Espargaro, përfundoi në spital pas një aksidenti të rëndë gjatë testimeve private të ekipit japonez në Sepang.

Spanjolli pësoi thyerje të katër brinjëve, por megjithatë mori leje të kthehet në Spanjë, ku pas kontrolleve shtesë do të vendoset nëse do t’i nënshtrohet operacionit.

Espargaro u bë pilot testues i Hondës në fund të sezonit 2024, pasi përfundoi karrierën aktive. Që atëherë ka kontribuar në zhvillimin e motorit përmes testimeve private dhe pjesëmarrjes në gara me ftesa speciale. Paralelisht u mor edhe me çiklizëm, por këtë vit e ka lënë për t’u përqendruar plotësisht te roli i tij në ekip.

Këtë javë Honda testoi në Sepang, ku përveç Espargaros në pistë ishte edhe Takaki Nakagami, pasi ekipi po fokusohet në motorin 850 cc.

“Kam pësuar disa mavijosje dhe katër brinjë të thyera, por për fat të mirë shtylla kurrizore nuk është prekur. Pas disa ditësh në spital, mund të kthehem në shtëpi me bashkëshorten time dhe do të shohim nëse më duhet operacion. Faleminderit ekipit të Hondës për kujdesin”, tha Espargaro.

Lëndimi i tij është goditje për programin zhvillimor të Hondës, sidomos pasi ekipi po teston një prototip të ri 850 cc. Ai pritej të merrte pjesë edhe në Çmimin e Madh të Spanjës me ftesë speciale.

Sezoni i MotoGP aktualisht është në pauzë pas anulimit të garës në Katar për shkak të konflikteve në Lindjen e Mesme dhe do të vazhdojë në Jerez nga 24 deri më 26 prill.

TË FUNDIT