Evropianët po braktisin turmat, zgjedhin destinacione të panjohura
E

Evropianët po braktisin turmat, zgjedhin destinacione të panjohura

Udhëtarët evropianë po priren gjithnjë e më shumë drejt destinacioneve më pak të frekuentuara brenda kontinentit, duke shmangur pikat klasike turistike dhe duke preferuar periudha më të qeta për udhëtime, sipas një raporti të ri nga Komisioni Evropian i Udhëtimit (ETC).

Sipas sondazhit, 77 për qind e evropianëve planifikojnë të ndërmarrin të paktën një udhëtim gjatë periudhës qershor–nëntor 2025, shkruan Euronews.

Prej tyre, 91 për qind kanë vendosur të qëndrojnë brenda Evropës. Kjo tendencë lidhet me rritjen e fluturimeve me kosto të ulët, lidhjet më të mira ajrore dhe pasigurinë gjeopolitike jashtë kontinentit, sidomos në Lindjen e Mesme, transmeton AutoPortali.

Mesdheu mbetet më i preferuari

Rajoni mesdhetar vijon të kryesojë listën, me 13 për qind të udhëtarëve që synojnë Spanjën. Italia renditet e dyta me 10 për qind, ndjekur nga Franca me 8 për qind dhe Greqia me 6 për qind. Vetëm 8 për qind e të anketuarve thanë se planifikojnë të udhëtojnë jashtë Evropës gjatë këtyre muajve.

Sondazhi përfshiu udhëtarë nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia, Holanda, Polonia, Zvicra, Belgjika, Austria, Franca dhe Spanja.

Rritet interesi për udhëtime jashtë sezonit

Përveçse po shmangin destinacionet e mbingarkuara, gjithnjë e më shumë evropianë po zgjedhin të udhëtojnë gjatë muajve “të ndërmjetëm”, si pranvera dhe vjeshta – periudha ndërmjet sezonit të lartë dhe atij të ulët. Shtatori, për shembull, është zgjedhur nga 22 për qind e udhëtarëve, duke konkurruar muajt e pikut si korriku dhe gushti që përzgjidhen nga 25 për qind.

Arsyet kryesore për këtë zgjedhje janë: më pak turistë, mot më i butë, fleksibilitet me orarin e punës dhe çmime më të ulëta. Për më tepër, këto periudha ofrojnë luks të qetë dhe përvoja kulturore për udhëtarët më të moshuar, por edhe aktivitete aventuriere për të rinjtë.

Më të moshuarit udhëtojnë më shumë

Grupi që tregon kërkesën më të lartë për udhëtime janë personat mbi 55 vjeç, me 82 për qind që planifikojnë udhëtime, të ndjekur nga grupmosha 45–54 vjeç me 79 për qind dhe grupmosha 35–44 vjeç me 78 për qind. Vetëm 66 për qind e të rinjve 18–24 vjeç kanë plane për të udhëtuar, për shkak të kufizimeve kohore dhe financiare.

Pavarësisht paqëndrueshmërisë ekonomike, 62 për qind e evropianëve planifikojnë të shpenzojnë po aq sa më parë për udhëtime, ndërsa 22 për qind pritet të shpenzojnë edhe më shumë. Shpenzimet mesatare për person për një udhëtim parashikohet të jenë nga 1,500 deri në 2,000 euro.

Strehimi përbën 32 për qind të buxhetit total të udhëtimit, ndërsa ushqimi dhe pijet zënë 24 për qind. Më të moshuarit shpenzojnë më shumë për rehati dhe darka cilësore, ndërsa të rinjtë preferojnë blerjet, aktivitetet, jetesën moderne dhe përvojat e mirëqenies.

Turistët gjithnjë e më të vetëdijshëm për mbingarkesën turistike

Në një kohë kur destinacione si Santorini, Roma, Venecia dhe Barcelona po përballen me mbingarkesë turistike, udhëtarët evropianë po përpiqen vetëdijshëm të zgjedhin vende më të qeta. 55 për qind e të anketuarve po kërkojnë destinacione “jashtë radarit”, një rritje nga 48 për qind në pranverë. Ndërsa 11 për qind thanë se shmangia e turmave është prioriteti kryesor i tyre.

“Destinacionet duhet të shfrytëzojnë këtë prirje duke promovuar përvoja më autentike dhe të qëndrueshme gjatë muajve të ndërmjetëm,” tha presidenti i ETC-së, Miguel Sanz.

Udhëtimi me makinë rritet, por avioni mbetet i pari

Edhe udhëtimet me makinë po njohin rritje, me 32 për qind të udhëtarëve që e zgjedhin për të eksploruar zona më të izoluara. Megjithatë, udhëtimi ajror mbetet zgjedhja kryesore për 53 për qind të evropianëve, për shkak të shpejtësisë dhe kostos më të ulët. /AutoPortali

TË FUNDIT