Drejtori Rajonal i Policisë në Ferizaj, Nënkolonel Faton Pllana, ka zhvilluar sot një takim pune me komandantët e njësive kyçe të sigurisë, me qëllim forcimin e masave për menaxhimin e qarkullimit rrugor dhe sigurisë publike gjatë sezonit të verës.
Në takim morën pjesë Kapiten Ismet Dërvishi, komandant i stacionit policor në Ferizaj, Kapiten Arsim Roshaj, komandant i Njësisë së Komunikacionit Rrugor, Toger Fahrudin Veliu, komandant i Njësisë së Reagimit të Shpejtë, si dhe Major Avni Uruqi, Shef i Sektorit Rajonal të Operativës, shkruan AutoPortali.
Fokusi kryesor i diskutimit ishte situata aktuale në komunikacionin rrugor, me theks në qarkullimin e motoçikletave pa dokumentacion dhe rritjen e numrit të automjeteve në rrugë gjatë muajve të verës. Drejtori Pllana kërkoi shtim të dukshëm të prezencës policore në akset rrugore, përmes patrullave të uniformuara, por edhe zyrtarëve në veshje civile dhe automjete zyrtare pa shenja dalluese.
Ai gjithashtu ka theksuar nevojën për analiza të hollësishme të aksidenteve në mënyrë që të identifikohen faktorët kryesorë dhe të hartohen plane konkrete veprimi.
Në takim u trajtuan edhe çështjet e sigurisë gjatë organizimeve publike, si koncertet dhe aktivitetet kulturore që po mbahen në qytetet e rajonit me miratim të autoriteteve komunale. Policia ka paralajmëruar angazhim shtesë të zyrtarëve të rendit dhe të Njësisë së Reagimit të Shpejtë për garantimin e mbarëvajtjes së këtyre ngjarjeve.
Komandantët pjesëmarrës janë zotuar për bashkëpunim të ngushtë dhe zbatim të masave të dakorduara, në funksion të ruajtjes së rendit dhe sigurisë.
Policia Rajonale e Ferizajt mbetet e përkushtuar në garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjen e jetës dhe pronës, sidomos në periudhën me fluks të shtuar të lëvizjes dhe organizimeve publike.



