Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) organizoi sot Kuvendin e Jashtëzakonshëm, ku delegatët miratuan me unanimitet një sërë ndryshimesh statutare.
Qëllimi i tyre është që statuti i FFK-së të harmonizohet plotësisht me statutet e UEFA-s dhe FIFA-s, si dhe me Ligjin e ri të Sportit të Republikës së Kosovës.
Në kuvend morën pjesë 50 delegatë, ndërsa një nga vendimet kryesore ishte zgjedhja e Samir Ujkanit si përfaqësues i futbollistëve në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së.
Presidenti Agim Ademi falënderoi delegatët për bashkëpunimin dhe unitetin e treguar, duke theksuar se kjo tregon forcën dhe stabilitetin e federatës:
“Ky kuvend më jep një ndjenjë të fortë se futbolli ynë është në duar të sigurta dhe do të vazhdojmë të punojmë bashkë për zhvillimin e tij,” u shpreh Ademi.
Në fjalën e tij, Marco Ferri, koordinator rajonal i FIFA-s, përshëndeti punimet në emër të presidentit të FIFA-s Gianni Infantino dhe Sekretarit të Përgjithshëm Mattias Grafström.
Ai vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm me FFK-në dhe sukseset e kombëtares, duke theksuar progresin e shpejtë që Kosova ka bërë në vetëm pak vite si anëtare e FIFA-s.
Nga ana e UEFA-s, Jozef Klemen, përfaqësues i presidentit Aleksandër Çeferin, nënvizoi rëndësinë e unitetit dhe bashkëpunimit në futboll, si dhe përgëzoi Kosovën për zhvillimin e futbollit dhe projektet infrastrukturore të mbështetura nga fondet HatTrick.
Në emër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Fidan Shatri theksoi rëndësinë e Ligjit të ri të Sportit, i cili sjell rregulla të qarta për organizatat sportive dhe mbështetje për përmirësimin e menaxhimit dhe transparencës.




