FFK njofton për ndërtimin e kampit Nacional në Leposaviq, përfundon faza e parë
F

FFK njofton për ndërtimin e kampit Nacional në Leposaviq, përfundon faza e parë

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka njoftuar për përfundimin me sukses të fazës së parë të punimeve në Kampin Nacional në Leposaviq, një projekt i rëndësishëm që synon të shndërrojë këtë kompleks në qendrën kryesore të zhvillimit të futbollit në vend.

Faza e parë përfshinte ndërtimin e tribunës dhe zhveshtoreve moderne, të ndërtuara sipas standardeve ndërkombëtare, duke krijuar bazën e duhur për zhvillimin e garave dhe aktiviteteve stërvitore, shkruan AutoPortali.

Aktualisht, ka nisur faza e dytë e projektit, e cila është ndërtimi i një hoteli funksional, që do të shërbejë për akomodimin e ekipeve kombëtare të të gjitha grupmoshave.

Ky projekt pritet të përmirësojë ndjeshëm kushtet e përgatitjes për përfaqësueset e Kosovës, duke ofruar një ambient profesional dhe të mirëorganizuar.

I pozicionuar në një zonë me natyrë të pasur dhe qetësi të garantuar, kampi synon të shërbejë si shtëpia e re e futbollit kosovar, ku do të rriten dhe përgatiten talentet e ardhshëm të vendit.

Projekti mbështetet nga programi HatTrick i UEFA-s dhe është pjesë e planeve strategjike të FFK-së për investime në infrastrukturën sportive, me qëllim krijimin e kushteve të avancuara për zhvillimin e futbollit në çdo nivel.

Nga FFK është bërë e ditur se punimet po vazhdojnë me ritëm intensiv dhe përkushtim maksimal, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm drejt përparimit të sportit në Kosovë. /AutoPortali

TË FUNDIT