Federata e Futbollit të Argjentinës (AFA) i është përgjigjur UEFA pas anulimit të ndeshjes “Finalissima” mes Kombëtares së Spanjës, kampione e Evropës, dhe Argjentina, kampione e Amerikës Latine.
Sfida ishte planifikuar fillimisht të zhvillohej më 27 mars në Katar, por nuk do të luhet për shkak të mosmarrëveshjeve mes organizmave drejtues të futbollit.
Në një komunikatë zyrtare, federata argjentinase theksoi se kishte qenë gjithmonë e gatshme për ta zhvilluar ndeshjen në një fushë neutrale, por kundërshtoi idenë që ajo të luhej në Madrid, pasi sipas saj kjo nuk do të garantonte neutralitetin e duhur.
“Zhvillimi i një ndeshjeje të tillë në Madrid do të thyente parimin e korrektësisë dhe nuk do të ishte një fushë neutrale”, thuhet në reagimin e AFA-s.
Federata argjentinase shtoi se kishte pranuar propozimin për ta zhvilluar ndeshjen në Itali më 27 mars, por kishte kërkuar që data të shtyhej për më 31 mars.
Megjithatë, sipas komunikatës, UEFA bëri të ditur se zhvillimi i ndeshjes më 31 mars, katër ditë pas datës së planifikuar fillimisht, nuk ishte i mundur, duke bërë që përfundimisht përballja “Finalissima” të anulohej./AutoPortali



