Trajneri gjerman Hansi Flick pritet të nënshkruajë së shpejti një kontratë të re me FC Barcelona, duke vazhduar kështu projektin e tij në krye të klubit katalanas.
Kontrata aktuale e teknikut gjerman është e vlefshme deri në verën e vitit 2027, ndërsa sipas raportimeve, drejtuesit e klubit janë duke punuar për një marrëveshje të re që do ta zgjasë atë edhe për një vit tjetër.
Megjithatë, ndërsa ende pritet konfirmimi zyrtar, Flick ka bërë një deklaratë që ka tërhequr vëmendjen e opinionit sportiv.
Në prag të ndeshjes së kthimit të 1/8 së finales së UEFA Champions League kundër Newcastle United, ai u shpreh:
“Nuk mendoj se është koha e duhur për të folur për këtë. Kemi një ndeshje të rëndësishme”.
Duke vijuar më tej, 61-vjeçari theksoi përkushtimin e tij ndaj klubit:
“Më pëlqen të punoj këtu. Kemi shumë kohë dhe nuk po mendoj të shkoj diku tjetër. Jam këtu dhe do të jetë klubi im i fundit, puna ime e fundit. Jam shumë i lumtur për këtë.”
Flick mori drejtimin e Barcelonës në verën e vitit 2024 dhe në sezonin e tij të parë arriti të fitojë dopietën në Spanjë. Aktualisht, Barcelona kryeson renditjen e La Liga, me katër pikë më shumë se rivalët e Real Madrid, duke konfirmuar formën e mirë të skuadrës nën drejtimin e trajnerit gjerman.



