Flick vlerëson fioren ndaj Realit në finale, ka disa fjalë për tre yjet e ekipit
Trajneri i Barcelnës, Hansi Flick, ka shprehur kënaqësinë e tij pas fitores dramatike 3-2 ndaj Real Madridit në finalen e Superkupës së Spanjës, duke e cilësuar suksesin si shumë të rëndësishëm për ekipin katalanas.
“Është diçka e shkëlqyer. Ishte një finale e madhe dhe kundër Real Madridit është gjithmonë e veçantë. Jam shumë krenar për skuadrën, sepse luajtëm pikërisht ashtu siç e kishim planifikuar”, u shpreh Flick pas përfundimit të takimit.
Trajneri gjerman foli edhe për atmosferën e festës pas ndeshjes, duke treguar se ende nuk kishte hyrë në dhomën e zhveshjes, por kishte parë lojtarët duke festuar fitoren.
“Po festojnë dhe kam parë vetëm që po kërcenin. Jam shumë krenar për ta. Luajtëm shumë mirë, e mbajtëm topin, e kontrolluam ndeshjen dhe në fund e gjithë skuadra tregoi mënyrën e lojës që ne dëshirojmë. Nuk ishte aspak e lehtë, por luftuam si ekip dhe kjo ishte mbresëlënëse”, shtoi ai.
Flick theksoi se kjo fitore ka një ndikim të madh në mentalitetin e skuadrës, duke e krahasuar situatën aktuale me sezonin e kaluar.
“Gjithçka është ndryshe nga sezoni i kaluar. Nisëm nga disavantazhi, por tani po kemi sukses dhe po funksionojmë si një ekip i vërtetë. Kjo më jep ndjenja shumë pozitive. Ishte një ndeshje shumë e rëndësishme dhe ndryshimet që kemi bërë na kanë dhënë shumë frymëzim”, deklaroi trajneri i Barcelonës.
Gjermani vlerësoi edhe mbështetjen e tifozëve, duke e cilësuar atmosferën si të jashtëzakonshme.
“Gjysmëfinalja ishte shumë e mirë dhe edhe sot pashë të njëjtën gjë. Ishte mbresëlënëse. Ne luajtëm shumë mirë kundër Madridit, por edhe ata luftuan deri në fund. Jam shumë i lumtur për gjithçka që pamë”, tha Flick.
Pas finales, trajneri veçoi edhe disa paraqitje individuale, duke lavdëruar veçanërisht Raphinhan, i cili shënoi dy gola vendimtarë.
“Mentaliteti i Raphinhas është i jashtëzakonshëm dhe kemi edhe lojtarë të tjerë me të njëjtën frymë. Kjo ndikon pozitivisht në të gjithë ekipin. Ai humbi një rast, por shfrytëzoi të dytin dhe na dha shumë besim në një moment me presion të madh”, theksoi ai.
Flick foli edhe për progresin e Eric Garcias, i cili po aktivizohet në disa pozicione dhe po tregon vazhdimisht paraqitje solide.
“Eric ka bërë një zhvillim të madh. Ai mund të luajë në shumë role dhe kjo është shumë e rëndësishme për ekipin. Ka mentalitet të fortë dhe në të ardhmen mund të jetë një nga kapitenët”, u shpreh trajneri.
Gjermani zbuloi gjithashtu një nga këshillat që u kishte dhënë lojtarëve para finales.
“U thashë të paktën të shënojnë një gol. Për mënyrën se si luan skuadra dhe për atë që u ofron tifozëve, ne mund të mbështetemi te ky ekip. Finalja ishte shumë e rëndësishme dhe të luash kundër Real Madridit është gjithmonë diçka e veçantë”, shtoi ai.
Në fund, Flick komentoi edhe rikthimin e Ronald Araujos, duke e cilësuar atë shumë të rëndësishëm për skuadrën.
“Mendoj se në këtë moment, fakti që ai u rikthye, luajti dhe fitoi titullin është shumë i rëndësishëm. Jam i lumtur që e shoh sërish në fushë, sepse ai është një lojtar kyç edhe për dhomën e zhveshjes”, përfundoi Flick.



