Në stinën më të ngarkuar të vitit, kompania ajrore British Airways po përdor teknologjinë e avancuar për të përmirësuar operacionet e aeroportit Heathrow dhe për të siguruar që fluturimet të realizohen në kohë.
Falë sistemit inovativ të inteligjencës artificiale (AI) dhe pajisjeve me zero emision, linja ajrore britanike po përgatitet për sezonin e verës me mbi 50 milionë pasagjerë që pritet të udhëtojnë.
Si funksionon teknologjia pas skenave të Heathrow?
The Times shkruan, se në terminalin 5 të Heathrow, një Airbus A320neo po përgatitet për të nisur fluturimin e radhës. Kjo është hera e parë që procesi i kthimit të avionit në pistë, i njohur si “turnaround”, realizohet ekskluzivisht me automjete elektrike dhe me zero emisione – autobusë me karburant bimor, automjete për bagazhet me bateri litiumi dhe shkallë elektrike për zbritjen e pasagjerëve. Kjo risi synon të rrisë efikasitetin dhe të reduktojë vonesat.
Inteligjenca artificiale – shoku më i mirë i pilotëve dhe stafit
Për të përballuar valën rekord të pasagjerëve gjatë verës, British Airways ka investuar 100 milionë paund në mjete të avancuara të parashikimit me AI. Në qendrat e kontrollit të operacioneve, si Air Operations Control Centre (AOCC) dhe Integrated Operations Control (IOC), përdoret një ndërfaqe gjigante me të dhëna në kohë reale për gjurmimin e avionëve dhe menaxhimin e fluturimeve.
Sistemet AI si “Mission Control” dhe “Pathfinder” analizojnë të dhëna historike dhe situata të papritura si stuhitë ose bllokimet e hapësirave ajrore, duke optimizuar planifikimin dhe zëvendësimin e avionëve në mënyrë të automatizuar për të minimizuar vonesat. Kjo ka dhënë rezultate konkrete: 86% e fluturimeve të British Airways në Heathrow kanë dalë në kohë gjatë tremujorit të parë të vitit 2025, një rekord i ri që trefishon performancën e vitit 2008.
Një sezon i nxehtë, por me më pak stres për udhëtarët
Me rreth 52 milionë pasagjerë që do të udhëtojnë këtë verë në Mbretërinë e Bashkuar, inteligjenca artificiale dhe pajisjet me zero emision po bëjnë diferencën në menaxhimin e fluturimeve. Siç thotë René de Groot, Drejtori Operacional i British Airways: “Këto teknologji na lejojnë të marrim vendime më të mira në kohë reale, duke garantuar një përvojë udhëtimi më të rrjedhshme dhe më pak vonesa për pasagjerët tanë”. /AutoPortali



