Foda: Euforia është shumë e lartë, duam t’i fitojmë ndeshjet e play-offit
F

Foda: Euforia është shumë e lartë, duam t’i fitojmë ndeshjet e play-offit

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Franco Foda, doli para mediave në konferencën zyrtare një ditë para ndeshjes ndaj Zvicrës, e cila luhet në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026.

Atmosfera në kampin dardan është pozitive dhe me motiv të lartë, megjithatë trajneri gjerman theksoi se skuadra duhet të mbetet e përqendruar plotësisht në fushë, duke mos lejuar që euforia t’i shpërqendrojë.

Foda pranoi se entuziazmi i krijuar pas paraqitjeve të fundit është i madh, sidomos duke qenë para tifozëve në stadiumin “Fadil Vokrri”, por shtoi se ende nuk ka vend për festime.

Sipas tij, ndeshja me Zvicrën është një sfidë e rëndësishme që kërkon disiplinë, organizim dhe qetësi.

“Momentalisht nuk kemi kohë për të festuar. Jemi në një fazë të rëndësishme dhe duhet të koncentrohemi në fushë. Para publikut tonë euforia është shumë e lartë, por ne duhet të punojmë me qetësi dhe të tregojmë lojën tonë më të mirë”, tha Foda.

Trajneri vuri në dukje se sfida me Zvicrën është jo vetëm prestigjioze, por edhe një test i rëndësishëm para fazës së play-offit, të cilën Kosova synon ta kalojë për të siguruar pjesëmarrjen historike në Botëror.

“Dëshirojmë të paraqitemi mirë ndaj Zvicrës. E njohim kualitetin e tyre, por besojmë në veten tonë. Synimi ynë është të vazhdojmë me paraqitje të mira dhe të fitojmë edhe ndeshjet e play-offit”, tha ai, duke nënvizuar se Kosova ka potencial të luftojë deri në fund.

Skuadra dardane tani është e fokusuar maksimalisht te ndeshja e radhës, ndërsa mbështetja e tifozëve pritet të jetë vendimtare për atmosferën dhe motivimin e lojtarëve.

TË FUNDIT