Mes flakëve nga pjesa e pasme, netëve pa gjumë dhe një beteje pothuajse të pamundur, kjo është historia e njeriut që e ktheu Ford Mustang në një legjendë të DTM-së.
“Mustang më shkatërroi dëgjimin”, thotë Gerd Ruch, i cili edhe sot kujton me pasion vitet 1988–1994, kur së bashku me vëllanë e tij Jurgen e kthyen makinën me zhurmën karakteristike dhe flakët nga marmita në një ikonë kulti.
Edhe pse në 95 gara arriti vetëm katër pikë dhe një vend të 10-të, Ruch u bë i preferuari i tifozëve. Ai luftonte kundër skuadrave të mëdha me një Mustang privat, në një betejë të pabarabartë.
Fillimisht nuk ishte plan që të qëndronte kaq gjatë në DTM. “Doja të hiqja dorë çdo vit”, thotë ai, duke kujtuar punën e lodhshme deri në 20 orë në ditë. Por projekti u kthye në pasion, falë mbështetjes së tifozëve dhe respektit nga rivalët.
Ruch nuk ishte as adhurues i makinave amerikane. Ai zgjodhi Mustang sepse ishte opsioni më i lirë për performancë të lartë. “Paguaja 16 mijë dollarë për 550 kuaj fuqi”, kujton ai, shumë më lirë se motorët e BMW apo Mercedes në atë kohë.
Makina u ndërtua pothuajse nga e para dhe ishte shumë e fuqishme në vijat e drejta, por e dobët në kthesa dhe frenim. “Arrinim 330 km/h, por frenonim shumë më herët se të tjerët”, shpjegon ai.

Momenti kulmor erdhi në vitin 1992 në Hockenheim, kur përfundoi i 10-ti dhe mori pikët e para. Rivalët madje formuan një “gardë nderi” për të pas garës, ndërsa tifozët e duartrokitën fuqishëm.
Me rritjen e teknologjisë në DTM, epoka e Mustang mori fund. Në vitin 1995, Ruch kaloi te Mercedes, por tifozët e quajtën “tradhtar”. Megjithatë, me kalimin e kohës ai mbeti një figurë e dashur dhe ende sot merr kërkesa për autografe.
Me rikthimin e Mustang në DTM, historia e tij mund të frymëzojë një brez të ri tifozësh.



