Ford tërheq nga tregu gati 500 mijë SUV për shkak të një defekti në frenim
F

Ford tërheq nga tregu gati 500 mijë SUV për shkak të një defekti në frenim

Viti 2025 po rezulton sfidues për gjigantin amerikan të automobilave, Ford, i cili ka njoftuar një tjetër tërheqje masive nga tregu. Kësaj here, bëhet fjalë për 499,129 SUV, të ndarë midis 414,717 Ford Edge (modelet 2015–2018) dhe 84,412 Lincoln MKX (modelet 2016–2018), për shkak të një defekti serioz në sistemin e frenimit.

Sipas dokumenteve të dorëzuara nga Ford në Administratën Kombëtare të Sigurisë së Trafikut në Autostrada në SHBA (NHTSA), problemi lidhet me tubacionin e frenave të pasme, i cili në disa raste mund të shpërthejë dhe rrjedhë lëng frenash. Një defekt i tillë mund të ndikojë drejtpërdrejt në kohën e reagimit gjatë frenimit dhe të rrisë ndjeshëm rrezikun për aksident, shkruan Car and Driver, transmeton AutoPortali.

Shoferët që drejtojnë makinat e prekura mund të vënë re një ndjesi jo të zakonshme në pedalin e frenave, i cili kërkon më shumë shtypje për të reaguar, ndërsa dritarja paralajmëruese për lëngun e frenave në panelin e instrumenteve mund të ndizet nëse niveli bie nën normën e sigurt.

Ford pranon se ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare për këtë defekt, edhe pse ka bërë disa përmirësime të materialeve në modelet më të fundit, të cilat duket se kanë ulur numrin e ankesave dhe rasteve të raportuara. Prodhuesi ka nisur njoftimin e shitësve të autorizuar dhe pritet të dërgojë letra informuese për pronarët në fillim të muajit shtator.

Ndërkohë, rregullimi përfundimtar pritet të jetë i gatshëm në prill të vitit 2026, duke shtuar kështu edhe më shumë pasiguri për pronarët e automjeteve të prekura, të cilët do të duhet të tregojnë kujdes të shtuar në përdorim, derisa të ofrohet një zgjidhje teknike.

Kjo tërheqje është një tjetër goditje për reputacionin e Ford këtë vit, ndërsa kompania përpiqet të përmirësojë kontrollin e cilësisë në një treg gjithnjë e më konkurrues dhe të ndjeshëm ndaj çështjeve të sigurisë.

TË FUNDIT