Çmimi i Madh i Shteteve të Bashkuara shënon fillimin e një prej betejave më të ashpra për titullin kampion në vitet e fundit.
Edhe pse nuk ka fituar në tri garat e fundit, Oscar Piastri mbetet lider i padiskutueshëm me gjashtë evente të mbetura, duke mbajtur një epërsi prej 22 pikësh ndaj shokut të skuadrës, Lando Norris.
Megjithatë, falë paraqitjeve të fundit, Max Verstappen është rikthyer në garë për titull dhe aktualisht ndodhet 63 pikë larg kreut. Që nga kthimi pas pushimeve verore, kampioni në fuqi ka grumbulluar më shumë pikë se të dy pilotët e McLarenit. Në garat mes Zandvortit dhe Singaporit, piloti i Red Bullit ka marrë 86 pikë, më shumë se çdo tjetër në grilë, krahasuar me 52 pikë të Piastrit dhe 39 të Norrisit, me holandezin që është rikthyer në luftë për titullin e tij të pestë radhazi, diçka që dukej e pamundur vetëm pak muaj më parë.
Me gjashtë fundjava të garave të mbetura, tri prej tyre me formatin sprint, pilotët kanë mundësinë të fitojnë deri në 174 pikë në total deri në fund të sezonit, pikërisht aq sa do t’i duheshin Verstappenit për të mbrojtur titullin. Megjithatë, piloti i Red Bullit nuk e ka fatin në duart e tij. Edhe nëse arrin të fitojë të gjitha garat e mbetura, nëntë në total (përfshirë sprintet), Piastri do të merrte titullin nëse përfundon i dyti në secilën prej tyre. Mesatarisht, Verstapen duhet të fitojë 10.5 pikë më shumë se australiani në çdo garë për ta kaluar atë në renditjen përfundimtare. Kjo nuk është aspak e lehtë, duke qenë se diferenca mes vendit të parë dhe të tretë është vetëm 10 pikë. Prandaj, Red Bullit do t’i duhej ndihma e Mercedesit apo Ferrarit për të “ndërprerë” dominimin e dy makinave McLaren në garat e ardhshme.

Përveç ndihmës së mundshme nga Mercedesi dhe Ferrari, edhe tensionet e brendshme te McLareni mund të luajnë në favor të Verstappenit. Në Kanada, ndodhi incidenti i parë mes dy pilotëve të skuadrës britanike, kur Lando Norris doli jashtë garës pasi u përplas me pjesën e pasme të makinës së Piastrit. Në Singapor, Norris i rrëmbeu 3 pikë të tjera shokut të skuadrës me një parakalim të debatueshëm në kthesën e parë të garës në rrugët e “Marina Bay”. Një përplasje e mundshme mes tyre që do të shkaktonte tërheqje të dyfishtë dhe do t’i hapte rrugë Verstappenit për të mbetur në garë për titullin.