Rifillohet nga zero, ose më saktë, nga numri 1. Po, sepse vetëm 1 pikë ndan Lando Norrisin nga Oscar Piastri në renditjen e përgjithshme në prag të Çmimit të Madh të Brazilit, një garë që shumë e konsiderojnë si pikën kyçe të luftës për titull.
Piloti britanik i McLarenit ka rimarrë kryesimin e klasifikimit me 357 pikë kundrejt 356 të australianit, falë fitores madhështore në Çmimin e Madh të Meksikës dy javë më parë. Jo vetëm kaq, por kemi edhe në duel mes Ferrarit dhe Mercedesit për vendin e dytë në renditjen e konstruktorëve, ku edhe aty diferenca është vetëm 1 pikë pas garës së 20-të të sezonit në Meksiko Siti, me “të kuqtë” që kanë kaluar sërish rivalët: 356 pikë kundrejt 355.
Një rastësi e veçantë, që reflekton të njëjtin hendek minimal si në garën për titullin mes Norrisit dhe Piastrit. Dhe në të dyja rastet, në mes është edhe faktori “Red Bull”. Në kampionatin e pilotëve, Max Verstappen duket se ka shansin e fundit në Sao Paulo për të qëndruar “i lidhur” pas trenit McLaren. Me 36 pikë prapa kreut, piloti holandez duhet të lërë pas të dy rivalët dhe në thelb të fitojë Çmimin e Madh të Brazilit për të mbajtur gjallë shpresat për titull.




