Kjo është sfida e re e Max Verstappenit. Përpara të gjithëve, edhe pse Audi ishte i pari në pistë dhe mes një feste të justifikuar për bashkëpunimin e ri me gjigantin Ford, “RB22” u bë realitet dhe shfaqi ngjyrat e betejës së një projekti që synon ta rikthejë skuadrën e pijeve energjike në majën e Formulës 1. Pas rrezikimit gjithçka për një rikthim të pamundur që nuk u realizua në vitin 2025, tani vjen sfida madhore e vitit 2026.
Një sfidë që po shndërrohet në frikën kryesore të gjeniut holandez, yllit më të madh të Formula 1 moderne. Red Bull vjen pas një dominimi dërmues në epokën e fundit të Formulës 1, atë të “ground effect” (efektit të tokës). Red Bulli ka fituar tre nga katër titujt e pilotëve (të gjithë me Verstappenin), dy tituj konstruktorësh dhe ka grumbulluar 55 fitore në Çmime të Mëdha, 13 fitore sprinti, 38 “pole position” dhe 2659 pikë gjithsej.

Pa asnjë dyshim, makina më e mirë. Një dominim që u thye vetëm nga McLareni, i cili impresionoi në 2024 dhe dominoi në 2025. Por tani gjërat po ndryshojnë. Motori tashmë është “i tyre”, i zhvilluar në bashkëpunim me Fordin dhe rregullat e reja përbëjnë dhimbjen më të madhe të kokës për Maxin dhe ekipin e tij. Dhe në skuderi nuk ngurrojnë ta pranojnë këtë hapur. “Do të ishte naive të mendonim se do të arrijmë në garën e parë dhe do të jemi në nivelin e viteve të mëparshme krahasuar me konkurrencën. Po fillojmë nga zero, po ndërtojmë gjithçka dhe madhësia e sfidës është e jashtëzakonshme”, pranoi Laurent Mekkies, shefi i strukturës Red Bull.

Nuk janë fjalë motivuese, por ai beson se maja mund të arrihet. “Nuk jemi naivë”, e përsëriti. “E dimë që do të ketë vështirësi, dhimbje koke dhe net pa gjumë. Por për këtë jemi këtu. Keni durim dhe vështirësitë do të shërbejnë si kujtesë e asaj që kemi vuajtur përpara se të triumfonim”, shtoi ai. Një sinqeritet i rrallë, por edhe diçka që mund ta bëjë Verstappenin të shqetësohet.



