Prodhuesi kinez GAC prezanton modelin e ri elektrik Aion Ray 7, një limuzinë luksoze me gjatësi prej 4,96 metrash, teknologji Huawei dhe autonomi deri në 702 kilometra.
Në Kinë, çmimi i tij fillon nga rreth 17.000 euro dhe arrin deri në 21.000 euro, ndërsa shitja zyrtare nis më 12 nëntor.
Automobili ofron dy versione të baterive LFP, me autonomi prej 530 dhe 702 kilometrash, sipas standardit kinez CLTC. Konsumi i deklaruar është vetëm 9,7 kWh për 100 kilometra.
Një tjetër veçori është teknologjia e avancuar e sigurisë, e cila përfshin 27 sensorë, LiDAR nga Huawei dhe tre radarë 4D, duke mundësuar asistencë të avancuar gjatë vozitjes.

A do të vijë në Evropë?
Përmasat e mëdha, hapësira luksoze dhe teknologjia moderne e bëjnë Ray 7 një konkurrent potencial të modelit Xiaomi SU7.
Megjithatë, nëse arrin në Evropë, çmimi pritet të jetë më i lartë për shkak të doganave, taksave dhe transportit. Gjithashtu, autonomia reale pritet të jetë më e ulët se shifra e deklaruar sipas standardit kinez.
Deri tani, GAC nuk ka konfirmuar datën e lansimit evropian dhe as çmimin për këtë treg.



