Transporti ajror në Shqipëri ka shënuar një rritje të dukshme gjatë tremujorit të dytë të vitit 2025, si në volum mallrash ashtu edhe në numrin e pasagjerëve.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës prill-qershor janë transportuar rreth 799 tonë mallra, përfshirë postën, me një rritje prej 42,4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Prej këtij volumi, 67,5% janë mallra të ardhura në vend, ndërsa 32,5% janë mallra të nisura drejt vendeve të tjera.
Numri i pasagjerëve që kanë udhëtuar me linjat ajrore shqiptare dhe të huaja ka kaluar shifrën e 3 milionëve, duke shënuar një rritje me 6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur u regjistruan rreth 2.8 milionë pasagjerë.
Në tregtinë ajrore janë regjistruar 583 tonë mallra të importuara dhe eksportuara, me një rritje modeste prej 2,3% në krahasim me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Megjithatë, mallrat e importuara me rrugë ajrore përbëjnë ende vetëm 0,02% të totalit të importeve në vend, shkruan Lajmiifundit, transmeton AutoPortali.
Aktualisht, transporti ajror në Shqipëri operohet nga 29 kompani, ku vetëm njëra është shqiptare dhe pjesa tjetër janë kompani të huaja. Në total, gjatë kësaj periudhe janë përpunuar mbi 110 mijë fluturime, nga të cilat rreth 83% kanë qenë fluturime mbikalimi përmes hapësirës ajrore shqiptare.



