General Motors prezanton “California Corvette”
G

General Motors prezanton “California Corvette”

General Motors ka zbuluar një nga konceptet më të guximshme të viteve të fundit, California Corvette, një hipermakinë elektrike që i bën nder jo vetëm trashëgimisë Corvette, por edhe shpirtit të lirë dhe të veçantë të Kalifornisë Jugore.

E dizajnuar nga studioja e avancuar e GM në Pasadena, kjo makinë koncept vjen si një “one-of-one” – një njësi e vetme, që bashkon estetikën me elementët klasikë të Corvette. E frymëzuar nga bota e simulimeve të garave dhe me linja që përkujtojnë Corvette-t historike, koncepti i ri është një pamje tronditëse në çdo kënd.

Pamja e jashtme është thjesht agresive: pjesa e përparme e ngushtë me drita të mprehta e kalon në një profil ultra të ulët dhe të lëmuar aerodinamikisht. E gjerë më shumë se një Range Rover, e dizajnuar për performancë ekstreme dhe me një prapavijë që duket si një sistem ventilimi i drejtpërdrejtë nga një tunel ere, makina është vizualisht imponuese.

Detajet e funksionimit elektrik mbeten të paqarta, por GM ka konfirmuar se motori ushqehet nga një paketë baterish prismatike në formë T-je, që lejon një qendër graviteti të ulët dhe rrjedhje më të mirë ajri përmes shasisë, një ide që tingëllon si e ardhur nga F1, shkruan TopGear, transmeton AutoPortali.

Një tjetër detaj spektakolar: California Corvette është gjithashtu transformuese. Kupola e saj është një element i vetëm që hapet nga pjesa e përparme, duke e shndërruar makinën nga një kupe futuriste në një “open-air track car” , një makinë e hapur për pistë. Me këtë nivel agresiviteti dhe gjerësi, ndoshta pista është vendi më i përshtatshëm për të.

Ky është koncepti i dytë në një seri vizionesh Corvette nga studiot e dizajnit të GM, dhe shumë shpejt pritet të prezantohet edhe i treti.

Për momentin, California Corvette mbetet një homazh i bukur ndaj performancës, stilit dhe shpirtit të papërmbajtshëm kalifornian.

TË FUNDIT