Gentjan Shaqiri: Brezovica ndër shtigjet e preferuara
G

Gentjan Shaqiri: Brezovica ndër shtigjet e preferuara

Gentjan Shaqiri edhe sivjet po vazhdon me rezultate të mira. Garuesi nga Shqipëria synon që në fund të kampionatit në FIA CEZ (Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit – Zona e Evropës Qendrore) të renditet sa më mirë.

Deri tash, ai me Tatuus, ka marrë pjesë në tri gara.

“Sivjet kam marrë pjesë në tri gara. Në Malacka të Kroacisë u rendita i pari në Proto 4 në një konkurrencë shumë të fortë, ndërsa i treti në plasmanin e përgjithshëm nga gjithsej 110 garues.

Gara e dytë ishte  Kulla, ku në prova pata kohë shumë të mirë, ndërsa për shkak të problemit me amortizatorin mbrapa, të dielën nuk ia dola të marrë pjesë në vozitjen e dytë. Ndërsa, në garën e tretë, në Krujë, pata rezultat shumë të mirë, ku u rendita i dyti në plasmanin e përgjithshëm, duke lënë prapa Uros Brkic me Osella PA 21”, ka thënë Shaqiri.

Pas këtyre tri garave, ai renditet i dyti në P4, por synimi i tij është më i madh.

“Në Kampionatin e FIA CEZ aktualisht ndodhem në pozitën e dytë me 25 pikë, ndërsa Ivan Subotic, i cili nuk ka munguar në asnjë garë (fitoi në Kullë për grupin e tij) i ka 29 pikë. Gjithsesi në garat e radhës synoj të kem rezultate edhe më të mira”, ka shtuar Gentjani.

Këtë mundësi ai do ta ketë edhe në Brzovicë, që është edhe njëra nga shtigjet e tij të preferuara.

“Shtegu në Brezovicë më pëlqen shumë dhe pas dy pjesëmarrjeve mjaft të suksesshme, shpresoj shumë që edhe sivjet të paraqitem mirë”, është shprehur optimist Shaqiri.

Gara në Brezovicë mbahet më 19 e 20 korrik.

 

 

TË FUNDIT