Një vend i gjashtë zakonisht nuk shoqërohet me buzëqeshje të mëdha, por për Esapekka Lappi ishte e pamundur ta fshihte lumturinë në rikthimin e tij në World Rally Championship, një rikthim që ai mendonte se nuk do të ndodhte më, pasi kishte pranuar që karriera e tij në WRC kishte përfunduar në vitin 2024.
Dy vite më parë në Rally Sweden ai buzëqeshte pas një fitoreje historike, por këtë herë, edhe pse përfundoi i gjashti, buzëqeshja ishte ndoshta edhe më e madhe.
“Jam më pak i stresuar”, tha Lappi në fund të garës. “Nuk po garoj më për të ardhmen time. Thjesht dua të shijoj makinat Rally1 sa kohë që janë ende në dispozicion”.
35-vjeçari garon këtë sezon për Hyundai World Rally Team, duke ndarë makinën e tretë i20 N me Dani Sordo dhe Hayden Paddon, kryesisht për të mbledhur pikë për ekipin. Në Suedi, ai dhe bashkëpilotja Enni Malkonen ishin ekuipazhi më i mirë i Hyundai-t dhe qëndruan në vendin e pestë për pjesën më të madhe të rally-t, para se t’ia linin pozicionin Adrien Fourmaux për arsye strategjike.

Lappi pranoi se rikthimi i tij pa presion dhe rizbulimi i dashurisë për rally-n vitin e kaluar, përfshirë fitimin e kampionatit finlandez – e kanë ndihmuar të shijojë sërish garat.
Partneriteti me bashkëpiloten Enni Malkonen, kampione e WRC2 në 2024, ka sjellë gjithashtu energji pozitive. “Ajo është gjithmonë pozitive. Sa më shpejt të shkojmë, aq më shumë i pëlqen”, tha ai me humor.
Dyshja do të rikthehet në aksion muajin e ardhshëm në Safari Rally Kenya.



