Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor në Gjakovë ka intensifikuar masat e kontrollit për sigurinë në trafik, në kuadër të planit operativ “Alkooli” dhe Task-Forcës për zbatimin e ligjit rrugor.
Gjatë katër ditëve të fundit janë testuar me alkool-test 385 shoferë, prej të cilëve 63 janë kapur duke drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit. Përveç gjobave të shqiptuara, ndaj tyre janë marrë masa mbrojtëse si ndalimi i drejtimit të mjetit me veprim motorik dhe konfiskimi i përkohshëm i patentë-shoferëve, sipas afateve të përcaktuara me ligj, shkruan AutoPortali.

Kontrollet janë shoqëruar edhe me aktivitete vetëdijësuese në kuadër të planit “Sezoni Veror”, me fokus në parandalimin e kundërvajtjeve të rrezikshme si tejkalimi i shpejtësisë, përdorimi i telefonit gjatë vozitjes dhe mosrespektimi i pajisjeve mbrojtëse.
Policia Rajonale e Gjakovës apelon për respektim të rregullave të komunikacionit dhe bashkëpunim me autoritetet, duke paralajmëruar sanksione të rrepta për çdo shkelje që rrezikon jetën dhe sigurinë në rrugë.




