Gjeneva ofron transport publik falas për të luftuar ndotjen e ajrit
G

Gjeneva ofron transport publik falas për të luftuar ndotjen e ajrit

Për herë të parë në Zvicër, transporti publik në Gjenevë do të jetë përkohësisht falas si masë emergjente kundër ndotjes së lartë të ajrit.

Vendimi vjen pasi qyteti ka regjistruar nivele rekord të ozonit, një gaz i dëmshëm që sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë mund të shkaktojë probleme të frymëmarrjes, dhimbje koke dhe kriza astme.

Të martën, termometrat shënuan 37°C, duke rritur përqendrimin e ndotësve në atmosferë për shkak të mungesës së vranësirave dhe shpërbërjes më të ngadaltë të ozonit, shkruan Reuters, transmeton AutoPortali.

Zyra e Mjedisit e Kantonit të Gjenevës njoftoi se përqendrimi i ozonit ka kaluar kufirin e sigurisë prej 180 mikrogramësh për metër kub, duke detyruar autoritetet të aktivizojnë protokollin anti-smog.

Nga e mërkura, qytetarët dhe vizitorët mund të përdorin falas autobusët, tramvajet, trenat dhe varkat në gjithë kantonin, për t’i inkurajuar të lënë makinat personale dhe të reduktojnë emetimet nga trafiku. Gjatë orarit 06:00–22:00, në qendrën e qytetit do të lejohen vetëm automjetet me emetime të ulëta.

“Masat synojnë uljen e oksidit të nitrogjenit dhe nxitjen e transportit publik, duke kufizuar qarkullimin e makinave ndotëse”, theksoi Zyra e Mjedisit për Reuters. Kontrolli i biletave do të pezullohet deri në përmirësimin e cilësisë së ajrit. /AutoPortali

TË FUNDIT