Golf R merr motorin e Audi RS3
G

Golf R merr motorin e Audi RS3

Volkswagen po mendon t’i japë Golf R një motor më të madh, pikërisht në prag të përvjetorit të 25-të të linjës R në vitin 2027. Sipas një raporti të Autocar, versioni më i fuqishëm i hatchback-ut legjendar do të pajiset me motorin 2.5 TFSI me pesë cilindra të Audi RS3 – një njësi që deri tani shihej si e paprekshme për modelet e VW.

Sipas Motor1, ky motor, i cili pritet të dalë nga prodhimi pas pak vitesh, do të përdoret për herë të fundit në një “Golf ekstrem”, duke e shndërruar atë në modelin më të fuqishëm të historisë së kësaj serie, transmeton AutoPortali.

Burime nga industria tregojnë se varianti i ri do të prodhojë mbi 400 kuaj fuqi dhe do të kombinohet vetëm me një transmision automatik DSG me shtatë shpejtësi, pas heqjes dorë nga kambio manuale.

Përfshirja e pesë-cilindrashit në Golf R është përfolur prej vitesh. Që nga 2020, Volkswagen kishte provuar ta përshtaste motorin e njohur “EA855” në këtë model, por ishte përballur me rezistencë nga Ingolstadt.

Tashmë, situata ka ndryshuar: Cupra Formentor VZ5 tashmë përdor këtë njësi motorike me afro 400 kuaj fuqi, ndërsa prototipa të rinj të Golf R janë parë duke u testuar në Nürburgring.

Sipas Autocar, pavarësisht motorit më të madh, pesha e makinës do të shtohet vetëm me rreth 25 kilogramë, edhe pse kërkohen frena më të mëdha dhe përforcime shtesë të shasisë.

VW po konsideron gjithashtu që Golf R të marrë diferencën e pasme me shpërndarje inteligjente të çift-rrotulluesit, një sistem i përdorur tek Audi RS3. Kjo do të rrisë gjasat që Golf R të bëhet makina më e shpejtë e Volkswagen në pistën e famshme të Nürburgring.

Megjithatë, performanca do të ketë çmim të lartë. Vetë Golf R333 me motorin e zakonshëm 2.0 TSI kushtoi në Gjermani 76,410 euro, ndërsa versioni bazë i Golf R fillon nga 55,540 euro. Në krahasim, çmimi fillestar në SHBA është dukshëm më i ulët – 48,325 dollarë.

Pyetja kryesore është kush do të zgjedhë një Golf R pesë-cilindrash në vend të RS3. Një pjesë e përgjigjes qëndron tek forma e karrocerisë: në SHBA, Audi RS3 shitet vetëm si sedan, ndërsa hatchback-un e ofron vetëm Volkswagen. Për Evropën, ky do të jetë “Golf-i i fundit i epokës së motorëve me djegie”, përpara se gjenerata e ardhshme Mk9 të kalojë në version elektrik.

Pas daljes nga prodhimi të TT RS dhe RS Q3, ky motor po i afrohet fundit të karrierës. VW synon t’i japë një “lamtumirë dinjitoze” një teknologjie që Grupi Volkswagen e ka përdorur që prej viteve ’70. Me ndalimin e motorëve me djegie nga BE që afrohet, koha është tani ose kurrë. /AutoPortali

TË FUNDIT