Volkswagen Golf është shpallur si vetura më e mirë për shoferët e rinj, duke ia marrë vendin e parë modelit të dashur Audi A1 në çmimet vjetore të “Drivers’ Choice Awards” të AutoTrader.
Ky model legjendar është vlerësuar si një makinë “me kosto të përballueshme, efikase në karburant dhe e lehtë për t’u drejtuar”, duke u përshkruar si një klasik shumëgjeneracional që ende ka shumë për të ofruar.
Golf është lavdëruar gjithashtu për sigurinë, stilin modern dhe vlerën që ofron për çmimin e tij, transmeton AutoPortali.
Audi A1 renditet në vendin e dytë, ndërsa BMW Seria 1 nuk arriti të kapë majën, megjithëse ofron cilësi premium, hapësirë të bollshme, vlerësim pesë yje për siguri nga Euro NCAP dhe kosto të ulëta operative. Sidoqoftë, Golf-i u dallua për tërheqjen që ka te shoferët e rinj.
Drejtoresha redaksionale e AutoTrader, Erin Baker, u shpreh: “Golf vazhdon të dëshmojë përshtatshmërinë e tij të përhershme. Është zgjedhja ideale për shoferët e rinj që kërkojnë një makinë të sigurt, argëtuese dhe të përballueshme.”
Çmimi fillestar i një Golf-i të ri është rreth 28 mijë paund, por mund të blihet edhe i përdorur nën 5 mijë paund. Modelet tjera të preferuara nga shoferët e rinj përfshijnë Skoda Fabia, Kia Picanto dhe Renault Clio.
Në votimin e këtij viti morën pjesë mbi 225 mijë persona. AutoTrader tha se çdo vit fton pronarët të ndajnë përvojën e tyre me veturat për të zbuluar cilat modele ofrojnë realisht përvojën më të mirë.
Ndër fituesit tjerë për vitin 2025 ishin:
- Kia EV3: Makina e Re më e Mirë e Vitit
- BMW i4: Makina më e Mirë për Familje
- Omoda 5: Makina me Vlerën më të Mirë për Paratë
- Land Rover Defender 110: Makina më e Dashur
- Porsche Macan: Makina më Argëtuese për të vozitur
Ndër markat më të vlerësuara, Lexus u shpall më e besueshmja, Dacia më e vlefshmja për çmim, dhe BYD marka më e dashur nga përdoruesit. /AutoPortali



