Pep Guardiola ka ngritur alarmin për situatën e skuadrës së Manchester Cityt, pas problemeve të shumta me lëndime që po prekin repartin mbrojtës.
Trajneri katalanas ka pranuar se mund të detyrohet të aktivizojë më shumë lojtarë nga akademia për të plotësuar stolin e rezervave, pas dëmtimeve të pësuara nga Josko Gvardiol dhe Ruben Dias gjatë barazimit 1-1 ndaj Chelseat, të dielën.
Dy mbrojtësit u detyruan të largohen nga fusha, duke thelluar krizën e lëndimeve në radhët e “Citizens”. Barazimi u vulos në minutat shtesë të takimit, duke qenë barazimi i dytë radhazi për Cityn, që tashmë ka humbur terren në garën për titull ndaj Arsenalit.
“Topçinjtë” kryesojnë kampionatin me gjashtë pikë avantazh pas 20 ndeshjeve të zhvilluara.
Pas ndeshjes, Guardiola u shfaq i shqetësuar për gjendjen e lojtarëve të tij.
“Do ta shohim nesër për Gvardiolin, por nuk duket mirë as për të, as për Rubenin,” deklaroi ai për gazetarët.
“Nuk kam folur ende me mjekun, por nëse Rubeni është jashtë, kjo do të thotë se ka ndier diçka.”
Trajneri i Cityt theksoi gjithashtu mungesën e alternativave në dispozicion.
“A e patë stolin sot? Katër lojtarë nga akademia dhe tani do të kemi edhe më shumë. Nuk kemi lojtarë,” u shpreh Guardiola.
Problemet nuk ndalen këtu për kampionët në fuqi.
City është prej kohësh pa John Stones, i cili ka munguar në gjashtë ndeshjet e fundit për shkak të një dëmtimi në kofshë, ndërsa edhe Nathan Aké ka pasur vështirësi për të ruajtur formën fizike optimale.
Megjithatë, pavarësisht situatës së vështirë, Guardiola mbetet optimist për aftësinë e skuadrës për të konkurruar.
“Pas asaj që ndodhi sezonin e kaluar, nëse qëndrojmë të fortë, do ta gjejmë një zgjidhje dhe shpirti do të jetë aty,” tha ai.
“Nëse shpirti është aty, edhe ne do të jemi aty.”
Manchester City do të kërkojë reagim në ndeshjen e radhës, që do të zhvillohet të mërkurën, kur në “Etihad” pret Brightonin. /AutoPortali



