Lewis Hamilton, shtatë herë kampion i Formula 1, ka zbuluar se është “dashuruar” pas kuajve pasi provoi të kalërojë për herë të parë para Çmimit të Madh të SHBA në Austin. Britaniku tregoi se dikur kishte alergji nga kuajt, por e ka tejkaluar me trajtim mjekësor.
“Në fëmijëri shkoja shpesh pranë livadheve ku kishte kuaj. I doja, por sa kthehesha në shtëpi, më zinte fryma”, tha Hamilton. Ai kaloi një program desensibilizimi, madje mori ilaçe edhe gjatë një fotosesioni me një kalë për revistën TIME, kur u bashkua me Ferrari-n.
“Dje provova sërish të ngjitem mbi një kalë për një projekt me brendin ‘+44’. Ishte përvojë e jashtëzakonshme! Kur kali nisi të galoponte, u tremba pak, por ishte fantastike. Jam shumë i emocionuar për këtë fazë të re të jetës sime, dua të merrem më shumë me kalërim”, u shpreh ai.
Në fund, Hamilton komentoi edhe zërat për një ndryshim të mundshëm te Ferrari: lidhjen e Christian Hornerit (Red Bull) me skuderinë italiane e quajti “shqetësuese”. Ai e mbështet kreun aktual, Fred Vasseur, që së fundmi rinovoi kontratën me Ferrari për tre vite.
“Fred dhe ekipi po punojnë fort për të ardhmen. Duhet të fokusohemi te performanca dhe makina e re për sezonin e ardhshëm,” përfundoi Hamilton, aktualisht në vendin e gjashtë në renditje, 211 pikë pas liderit Oscar Piastri.