Piloti i Ferrari-t, Lewis Hamilton, pas tërheqjes nga Grand Prix i Brazilit tha se rezultatet zhgënjyese këtë sezon po e godasin edhe më shumë, duke marrë parasysh se ai realizoi ëndrrën e tij duke u transferuar nga Mercedes tek skuadra italiane.
Kampionit shtatë herë botëror i desh të tërhiqej pas vetëm 37 xhirosh për shkak të dëmtimit të pjesës së poshtme të makinës, pas dy incidenteve të veçanta me Carlos Sainz (Williams) dhe Franco Colapinto (Alpine) në fazën fillestare të garës.
Sainz e goditi Hamiltonin në kthesën 1, ndërsa më pas Hamilton përplasi pjesën e pasme të makinës së Colapinto-s në pistën start-finish, duke dëmtuar krahun e përparmë të Ferrari-t dhe duke marrë një penalizim prej 5 sekondash. Kjo ndodhi pas një fundjave tashmë zhgënjyese, vendit të 7-të në sprint dhe daljes jashtë në pjesën e dytë të kualifikimeve për garën kryesore.
Sezona në përgjithësi ka shkuar shumë nën pritshmëritë për Hamiltonin. Aktualisht, ai renditet i 6-ti në kampionat, pa asnjë vend podiumi dhe me 66 pikë prapa kolegut të skuadrës, Charles Leclerc.
“Kjo është një makth. Në këtë makth jetoj tash e ca kohë. Është si të kalosh nga një ëndërr, të garosh për këtë skuadër të mahnitshme, në një makth të rezultateve që po marrim”, tha Hamilton për Sky Sports.

“Ka ngritje dhe ulje. Është e vështirë. Nesër do të ngrihem përsëri. Do të vazhdoj stërvitjen. Do të punoj me skuadrën. Me të vërtetë doja t’u sjellja pikë të mira këtë fundjavë, por do të kthehem më i fortë në garën tjetër dhe do të përpiqem të rikuperoj”, shtoi Hamilton.
Në garën për titull, piloti i McLaren, Lando Norris, është lider me 390 pikë, 24 më shumë se kolegu i skuadrës, Oscar Piastri. Në vendin e tretë është ylli i Red Bull, Max Verstappen, me 341 pikë.
Konkurrenca për titull vazhdon me Grand Prix i Las Vegasit, i cili do të zhvillohet nga 20 deri më 22 nëntor.



