Hankook me risi në garën e ardhës
H

Hankook me risi në garën e ardhës

Skuadrat e WRC do të kenë në dispozicion një gomë të re për garën e kësaj fundjave në Kenia dhe për garat e tjera në terren zhavorri gjatë këtij sezoni. Hankook ka zhvilluar një gomë të re me përbërje të butë për zhavorr, të quajtur Dynapro R213, e cila do të debutojë në etapat e vështira të rallisë në Kenia.

Kjo gomë u zhvillua pasi disa pilotë të WRC kritikuan performancën dhe qëndrueshmërinë e gomave, veçanërisht në gara shumë të ashpra në zhavorr. Për shembull, Thierry Neuville nga Hyundai Shell Mobis WRT kishte thënë vitin e kaluar në Acropolis Rally Greece se gomat “nuk ishin në nivelin e kampionatit”.

Goma e re duket e ngjashme me versionin e vitit të kaluar, por ka ndërtim dhe përbërje të ndryshme. Ajo pritet të ofrojë diferencë më të madhe performance mes gomave të forta dhe të buta, si dhe qëndrueshmëri më të mirë në kushte shumë të vështira.

Sipas Hankook, goma është zhvilluar gjatë gjithë vitit të kaluar në bashkëpunim me FIA-n dhe tre skuadrat Rally1, duke përdorur edhe komentet e pilotëve për ta përmirësuar.

Kompania gjithashtu konfirmoi se kjo gomë e re e butë për zhavorr do të përdoret në të gjitha garat në zhavorr gjatë pjesës së mbetur të sezonit, ndërsa një version i ri i gomës së fortë pritet të prezantohet në Rally Portugal në maj.

Ndërkohë, edicioni i këtij viti i Safari Rally Kenya pritet të jetë edhe më i vështirë se ai i vitit të kaluar, pasi reshjet e mëdha kanë krijuar baltë dhe kanë nxjerrë në sipërfaqe gurë të mëdhenj në rrugë, duke e bërë garën shumë sfiduese për pilotët, skuadrat dhe gomat.

TË FUNDIT