Helsinki i pari në Evropë, zero fatalitete rrugore në 12 muaj
H

Helsinki i pari në Evropë, zero fatalitete rrugore në 12 muaj

Helsinki është vlerësuar si kryeqyteti më i sigurt në botë për qarkullimin rrugor, pasi autoritetet lokale kanë konfirmuar se gjatë një viti të plotë nuk është regjistruar asnjë viktimë nga aksidentet në trafik.

Sipas Komisionit Evropian, vdekjet rrugore në BE kanë rënë mesatarisht me 3%, por në metropole ato mbeten të zakonshme. Prandaj, një vit pa asnjë fatalitet është arritje e rrallë për çdo qytet e aq më tepër për një kryeqytet europian, shkruan Theweek, transmeton AutoPortali.

Strategjia “Vision Zero”

Suksesi është rezultat i dekadave të punës së Finlandës për uljen dhe eliminimin e vdekjeve rrugore. Që nga fillimi i viteve 2000, vendi ka zbatuar strategjinë “Vision Zero”, e cila, siç e përshkruante The Guardian në vitin 2020, “zhvendos përgjegjësinë nga përdoruesit e rrugës tek projektuesit e sistemit rrugor”.

Nëse ndodh një aksident, autoritetet kanë për detyrë të sigurohen që ai të mos përsëritet.

Vdekjet në trafik në Helsinki kanë ardhur duke rënë vazhdimisht. Në vitin 2019 nuk pati asnjë viktimë këmbësorësh, ndërsa aksidenti i fundit fatal në qytet ndodhi në korrik 2024. Edhe lëndimet nga trafiku kanë rënë ndjeshëm: nga 727 raste në 2023, në vetëm 14 gjatë vitit 2024.

Për krahasim, në vitin 2023 në rrugët e BE-së humbën jetën 20.418 persona, ndërsa Lituania dhe Letonia shënuan rritje dramatike të fataliteteve, me 33% dhe 26%.

Fuqia e ndryshimeve të vogla

Sipas analistëve, suksesi i Helsinkit nuk vjen nga një politikë e vetme, por nga “një sërë ndryshimesh të vogla” që së bashku kanë krijuar efekt të madh. Fokusi është tek: rrugë më të sigurta, shpejtësi të kontrolluara, automjete më të sigurta dhe menaxhim më i mirë i pasojave të aksidenteve. Kjo qasje synon krijimin e “shtresave mbrojtëse” që ulin pasojat edhe kur ndodh një përplasje.

Më shumë se gjysma e rrugëve të Helsinkit tani kanë kufi shpejtësie 30 km/h. Sipas të dhënave, ulja e shpejtësisë nga 40 në 30 km/h përgjysmon rrezikun e vdekjes për këmbësorët.

Edhe dizajni i rrugëve ka luajtur rol kyç: janë ngushtuar korsitë, janë mbjellë pemë për të detyruar shoferët të lëvizin më ngadalë, është zgjeruar infrastruktura për biçikleta dhe këmbësorë, dhe janë shtuar kamerat e kontrollit.

Masat e tjera përfshijnë përmirësimin e aftësive të përdoruesve të rrugës, detyrimin pothuajse 100% për përdorimin e helmetës nga motoçiklistët dhe drejtuesit e motorëve të vegjël, si dhe kontrolle të rastësishme të policisë për alkoolin dhe drogat. Finlanda është gjithashtu i vetmi vend në Europë që heton në detaje çdo aksident fatal.

Këshilli Europian i Sigurisë Rrugore ka vlerësuar qasjen e koordinuar të Finlandës. Siç thotë një shprehje finlandeze: “Vahinko ei tule kello kaulassa” ose e thënë ndryshe: “Aksidentet nuk paralajmërojnë me zile”. /AutoPortali

TË FUNDIT