Muaji janar pritet të sjellë zhvillime të rëndësishme në karrierën e Arbër Hoxhës. Anësori i Kombëtares shqiptare ka tërhequr vëmendjen e dy klubeve angleze, Sheffield United dhe Hull City, të cilat po garojnë për ta siguruar në merkaton dimërore.
Sipas “Sportsboom”, të dy klubet po përgatiten të paraqesin oferta konkrete. Forma e mirë e Hoxhës me Dinamo Zagreb dhe me fanellën kuqezi ka rritur ndjeshëm kërkesën për të.
Sheffield United shihet disi më i favorizuar falë mundësive financiare më të mëdha, që mund të peshojnë në negociatat përfundimtare.
Nga ana tjetër, Hull City mbështetet te një avantazh tjetër: trajneri Sergej Jakirovic. Kroati ka punuar më herët me Hoxhën te Dinamo Zagreb, periudhë gjatë së cilës lojtari regjistroi 4 gola dhe 3 asistime në 31 ndeshje.
Jakirovic e ka kërkuar atë edhe në kohën kur drejtonte Kayserispor dhe tani shpreson të përdorë marrëdhënien e ndërtuar mes tyre për ta bindur të kalojë në EFL Championship.
Dinamo Zagreb, edhe pse i ka rinovuar Hoxhës kontratën deri në vitin 2029, nuk e ka nxjerrë zyrtarisht në shitje. Megjithatë, paga relativisht e ulët e lojtarit, rreth 500 mijë euro në vit e bën atë një objektiv të realizueshëm për klubet angleze.
E ardhmja e Arbër Hoxhës mbetet ende e pasigurt, por një gjë është e qartë: ai është një nga emrat më të kërkuar të merkatos së janarit./AutoPortali



