Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, ka dalë në konferencë për media para sfidës së nesërme kundër Manchester Cityt, një përballje e cila pritet të jetë e zjarrtë.
Alonso u shfaq i qetë, por i vendosur, duke theksuar se pritshmëritë e larta te klubi madrilen kërkojnë përgatitje maksimale në çdo moment.
Ai u ndal te presioni i drejtimit të një skuadre të këtij niveli dhe rëndësia e përshtatjes:
“Te Real Madridi nuk ka të bëjë me ndryshimin, por me përshtatjen. Ky klub funksionon në një ritëm tjetër dhe unë e njoh shumë mirë këtë shtëpi. Ka ditë të mira dhe ka ditë të vështira, por ajo që ka rëndësi është se skuadra po rritet nga ndeshja në ndeshje”, u shpreh ai.
Alonso theksoi se skuadra duhet ta marrë përgjegjësinë dhe ta përmbysë çdo vështirësi që i del përpara.
“Si trajner i Real Madridit duhet të jesh i përgatitur për çdo situatë. Kjo është pjesë e punës dhe e mentalitetit të këtij klubi. Ne duhet të përballemi me presionin, ta menaxhojmë atë dhe të tregojmë karakter.”
I pyetur për ndeshjen e fundit dhe atmosferën brenda ekipit, Alonso sqaroi se skuadra tashmë është përqendruar tërësisht te sfida e radhës.
“Ndeshjen ndaj Celtas e kemi lënë pas. Tani e gjithë vëmendja është te Manchester City. Jemi të fokusuar, të motivuar dhe të gatshëm të tregojmë versionin tonë më të mirë.”
Real Madridi dhe Manchester City pritet të ofrojnë një duel të fortë, ndërsa Alonso kërkon të konfirmojë se ekipi i tij është i gatshëm për sfidat më të mëdha të sezonit. /AutoPortali



