Shitjet e makinave elektrike vijojnë të rriten, megjithëse jo me ritmet e mëparshme, ndërsa ato me karburant hidrogjeni mbeten pothuajse të papërfillshme. Megjithatë, Hyundai nënvizoi se do të vazhdojë të shtyjë përpara vizionin e një të ardhmeje me hidrogjen.
Deklarata u bë gjatë Ministerialit për Energjinë e Pastër (CEM16), një forum global i mbajtur dje në Korenë e Jugut, ku shtete, organizata dhe kompani diskutojnë politikat e energjisë së pastër, ndajnë praktikat më të mira dhe nxisin partneritete publike e private.
Në këtë skenë, Hyundai zgjodhi të theksojë rolin e hidrogjenit, shkruan Autoweek.
“Hyundai Motor Group demonstroi lidershipin global në fushën e hidrogjenit në CEM16, duke riafirmuar angazhimin e Grupit për të avancuar inovacionin me hidrogjen në nivel ndërkombëtar”, tha kompania në një deklaratë.
Aktualisht, Hyundai ofron modelin Nexo crossover në Kaliforni, ku konkurrentët e vetëm janë Toyota me Mirai dhe Honda me CR-V e:FCEV. Por shitjet e këtyre modeleve mbeten simbolike, për shkak të kostove të larta të prodhimit dhe infrastrukturës tepër të kufizuar për furnizim.
Vitin e kaluar, Hyundai shiti vetëm 93 Nexo, Toyota 499 Mirai, ndërsa Honda sapo ka nisur shitjet e modelit të saj, pa të dhëna ende në treg.
Hyundai nuk njoftoi plane konkrete produktesh të reja në këtë forum, por theksoi qasjen strategjike ndaj hidrogjenit.
“Si bartës i fuqishëm energjie, hidrogjeni luan një rol qendror në rritjen e qëndrueshmërisë energjetike dhe në nxitjen e inovacionit industrial,” tha Ken Ramirez, drejtues i divizionit të energjisë dhe hidrogjenit në Hyundai Motor Group. Ai shtoi se përvoja 30-vjeçare e kompanisë në këtë fushë po përdoret për të sjellë zgjidhje praktike me markën HTWO, e krijuar në vitin 2024.
Në SHBA, Hyundai ka ngritur një logjistikë të bazuar në hidrogjen për fabrikën e saj në Georgia dhe mbështet projektin NorCAL ZERO në Portin e Oakland, për të ulur emetimet.
Megjithatë, sfida kryesore mbetet: aktualisht nuk ekziston mënyrë e shkallëzuar për prodhimin e hidrogjenit pa lëshuar CO₂. Toyota ka demonstruar një zgjidhje përmes përdorimit të metanit të gjeneruar nga biomasa në impiantet e ujërave të zeza dhe landfille, duke e shndërruar atë në hidrogjen “të gjelbër”.
Hyundai pranon se rruga është e gjatë dhe se progresi kërkon partneritete publik-privat, çka nënkupton edhe përdorimin e fondeve publike. Por kompania beson se hidrogjeni mbetet një alternativë e pastër dhe konkurruese për të ardhmen. /AutoPortali