“I përkëdheluri” mbetet jashtë skuadrës së Lille për fazën përgatitore

“I përkëdheluri” mbetet jashtë skuadrës së Lille për fazën përgatitore

E ardhmja e Edon Zhegrovës te Lille duket gjithnjë e më e pasigurt.

Ylli i përfaqësueses së Kosovës nuk është përfshirë në skuadrën e parë të klubit francez për fazën e dytë përgatitore që po zhvillohet në Iserlohn të Gjermanisë, një lëvizje që po interpretohet si sinjal konkret për një largim të mundshëm gjatë këtij afati kalimtar veror.

Sipas raportimeve nga mediumi lokal ‘Lepetitlillois’, trajneri Bruno Genesio ka përzgjedhur 29 lojtarë për fazën intensive të përgatitjeve, në mesin e të cilëve figurojnë emra kyç si Lucas Chevalier, Benjamin Andre, si dhe një numër futbollistësh të rinj nga akademia dhe lojtarë të rikthyer nga huazimet, transmeton AutoPortali.

Megjithatë, mungesa e Zhegrovës në këtë listë bie në sy dhe ngjall shumë pikëpyetje, sidomos duke marrë parasysh se në skuadër janë përfshirë edhe lojtarë të dëmtuar si Tiago Santos, Ugo Raghouber dhe Andre Gomes, të cilët megjithatë vazhdojnë të jenë pjesë e planeve të klubit.

Largimi i mundshëm dhe interesimi nga klubet evropiane

Zhegrova, i cili ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të Lille sezonin e kaluar me paraqitjet e tij të fuqishme në krahët e sulmit, është përfolur për një transferim të mundshëm gjatë verës.

Emri i tij është lidhur me disa klube të njohura si Olympique Marseille, Napoli dhe Atalanta, por deri tani nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete apo zyrtare në horizont.

Përveç Zhegrovës, edhe Mohamed Bayo, Tiago Morais dhe Rafael Fernandes nuk janë përfshirë në listën përgatitore, duke shtuar edhe më tej spekulimet për largimin e tyre nga klubi.

Zhegrova është një nga lojtarët më të vlefshëm të Kosovës në futbollin evropian dhe një lëvizje në një klub më të madh mund të jetë hapi i radhës në karrierën e tij.

Mbetet për t’u parë nëse javët e ardhshme do të sjellin zhvillime konkrete. /AutoPortali

TË FUNDIT