Pavarësisht rritjes së ndjeshme të shitjeve globale të veturave elektrike, Volkswagen pritet të tërheqë nga prodhimi një prej modeleve të saj më të zbehtë në performancë ID.5.
Sipas një raporti të Autocar, SUV-i elektrik me pamje coupe nuk do të ketë një gjeneratë të dytë dhe pritet të dalë nga skema e prodhimit që në vitin 2027, duke përfunduar ciklin e tij jetësor në vetëm shtatë vjet.
Sipas Motor1, shkak për këtë është bërë performanca e dobët në treg, veçanërisht në Kinë, ku VW kishte parashikuar të kishte suksesin kryesor. ID.5 nuk ka arritur të depërtojë as në Evropë, ku klientët vijojnë të preferojnë variantin më funksional dhe me hapësirë të ID.4.
Ndërkohë, moslansimi në tregun amerikan i ka shtrënguar më tej mundësitë e suksesit, transmeton AutoPortali.
Ironikisht, ID.5 rezulton si modeli më i shitur elektrik brenda grupit VW për gjysmën e parë të këtij viti – por vetëm sepse shifrat e tij janë bashkuar me ato të ID.4. Në realitet, pikërisht ID.4 ka mbajtur peshën kryesore, me pjesën më të madhe të 84,900 njësive të shitura deri në qershor. Pas tij vjen ID.3 me 60,700 njësi, dhe më tej Audi Q4 E-Tron dhe Sportback me gjithsej 44,600 njësi.

Shkurtimi i ID.5 ngre pikëpyetje edhe për modelin ekuivalent të Ford-it – Capri, një crossover elektrik i lançuar vitin e kaluar që trashëgon emrin legjendar.
Edhe për të, prodhimi është ulur herët për shkak të “deteriorimit të shpejtë të kushteve të tregut për veturat elektrike,” sipas një zëdhënësi të Ford-it për gazetën gjermane Kölner Stadt-Anzeiger.
Dalja nga tregu e ID.5 është pjesë e një strategjie më të gjerë të VW për të eliminuar modelet që nuk performojnë. Kompania tashmë ka hequr nga prodhimi Passat sedan, ka ndalur prodhimin e Arteon-it, dhe flitet se edhe Touareg do të largohet në 2026.
I vetmi kabriolet, T-Roc Cabriolet, do të mbyllë ciklin në 2027. Gjithashtu janë anuluar planet për një version më të vogël të ID. Buzz që do të zëvendësonte Touran-in.
Megjithë fokusin e tregut në SUV dhe crossover, VW ka ende në plan të lansojë dy hatchback elektrikë më të përballueshëm: ID.2 do të dalë në 2026 me çmim rreth 25,000 euro, ndërsa më pas vjen ID.1 në 2027 me një çmim bazë rreth 20,000 euro. Për ata që kërkojnë më shumë lartësi dhe pozicionim SUV, do të vijë edhe ID.2 X.



