Industria amerikane e veturave mund të humbasë mbi 100 miliardë dollarë nga tarifat
I

Industria amerikane e veturave mund të humbasë mbi 100 miliardë dollarë nga tarifat

Qendra për Kërkime në Automobilizëm (CAR) publikon shifra alarmante: mbi 100 miliardë dollarë humbje të mundshme nga tarifat.

Industria amerikane e veturave rrezikon të përballet me një faturë të rëndë nëse zbatohet një tarifë uniforme prej 25% ndaj pjesëve të importuara dhe veturave të lehta. Sipas një analize të re nga Qendra për Kërkime në Automobilizëm (CAR), kostoja totale për të gjithë prodhuesit do të kalojë 107.7 miliardë dollarë në vitin 2025.

Vetëm për tre gjigantët e Detroitit Ford, Stellantis dhe General Motors humbja e parashikuar arrin në 41.9 miliardë dollarë, shkruan Autoblog, transmeton AutoPortali.

Zbatimi i kësaj tarife do të ndikonte gjithashtu në prodhimin e rreth 6.8 milionë veturave. “Zinxhiri modern i furnizimit në industrinë automobilistike është global dhe kompleks, duke e bërë të vështirë të përcaktosh koston reale të një tarife 25%,” deklaroi Dr. K. Venkatesh Prasad, nënkryetar i lartë për kërkime dhe inovacion në CAR.

Ai theksoi gjithashtu se shumë prodhues dhe furnitorë janë kompani shumëkombëshe me një rrjet global fabrikash, çka e zbeh kufirin mes prodhimit vendas dhe atij të huaj.

Analiza e CAR-it përdori qasje nga lart-poshtë dhe poshtë-lart për të përllogaritur ndikimin. Nga njëra anë, u përdorën të dhënat tregtare të SHBA-së për vitin 2024 dhe u aplikuan disa parashikime për të ndarë importet e pjesëve sipas prodhuesve. Nga ana tjetër, u shfrytëzuan të dhënat e vitit 2025 të Aktit të Etiketimit të Automjeteve Amerikane (AALA), të cilat kërkojnë transparencë për origjinën e pjesëve dhe montimit të çdo veture.

Megjithatë, raporti pranon se llogaritjet varen nga supozimet e përdorura dhe se tarifat mund të ndryshohen për shkak të politikave tregtare.

Disa partnerë tregtarë e shmangën tarifën 25%, por Japonia ende në negociata
Disa vende partnere të SHBA-së, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Korenë e Jugut, Japoninë, Vietnamin, Indonezinë, Filipinet, Tajlandën, Kamboxhën dhe Bashkimin Evropian, kanë arritur marrëveshje tregtare për të shmangur tarifat e plota prej 25%. Për shembull, Britania ishte e para që ra dakord për një tarifë 10% mbi 100 mijë vetura të eksportuara në vit. Ndërsa Koreja e Jugut, Japonia dhe BE-ja do të përballen me tarifa 15%.

Megjithatë, kryeministri japonez Shigeru Ishiba deklaroi të hënën se është “plotësisht i gatshëm” të diskutojë me Presidentin Trump për uljen e këtij 15% tarifi, raportoi Reuters. Ende nuk ka një afat të qartë se kur do të zbatohen tarifat më të ulëta për vendet që kanë nënshkruar marrëveshje me SHBA-në.

Vlerësimet e prodhuesve janë më të ulëta, por rreziku mbetet

Megjithëse GM, Stellantis dhe Ford kanë përfshirë në projeksionet e tyre për vitin 2025 një ndikim të tarifave prej rreth 10 miliardë dollarësh shumë më pak se 41.9 miliardëshi i përllogaritur nga CAR – analiza e CAR bazohet në skenarin e një tarife uniforme 25%. Ky skenar është veçanërisht relevant tani që shumë partnerë tregtarë të SHBA-së kanë nënshkruar marrëveshje të reja, por nuk e dinë ende se kur do të hyjnë në fuqi normat më të ulëta.

Tre prodhuesit e mëdhenj të Detroitit kanë marrë parasysh faktorë si normat reale të interesit, masat e zbutjes dhe karakteristikat specifike të kompanive. Ford, për shembull, pret ta zbusë ndikimin e tarifave me 1 miliard dollarë përmes strategjive të veta. /AutoPortali

TË FUNDIT